Ditën e djeshme në kalendarin e punimeve të parlamentit ishte futur në axhendën 3 javore drafti i reformës në drejtësi, një lajm ky që zemëroi opozitën e cila tha se nuk ishte lajmëruar për këtë fakt. Por ka kaluar një ditë dhe burime të sigurta nga kuvendi për Javanews, thanë se bëhet fjalë për një gabim administrativ.
Një “lapsus” që në fakt lë jashtë kalendarit 3 javor draftin e reformës në drejtësi, miratimi i të cilit nuk “pret” më shumë se ky sesion parlamentar, i cili mbyllet në korrik.
Reagimi i parë për këtë gabim administrativ, ka qenë i kreut të grupit parlamentar të LSI Petrit Vasili. Më pas ka reaguar kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, i cili pavarësisht se ka pranuar lapsusin, përsëri ka hedhur dyshime, se kjo është bërë me porosi të Edi Ramës.
“Nuk ka shumë të vërteta, por vetëm një. Kuvendi i shqipërisë me sa jam informuar do të sqarojë këtë cështje. Ka patur një lapsus, dhe jo ndonjë votim për këtë çështje as në sallë e askund. Do duhet të jemi të përqendruar në zbatimin dhe miratimin e reformës. Besoj se është një lapsus, por jam i bindur se shërbimi i kuvendit do ta sqarojë këtë problem.”- tha Vasili.
“ Praktikisht kemi të bëjmë jo më pak se me një falsifikim, të kryer, nga kush, do duhet ta marrim vesh…! Por nga komunikimet e fundit me kuvendin, na rezulton të na thonë se ka qenë një gabim i administratës, ndërkohë që ju e dini shumë mirë se të tilla gabime administrata nuk mund t’i bëjë. Besoj cdokush e ka të lehtë të kuptojë sesi vepron Rama.. me një vendosshmëri kriminale për të kryer gjithçka që atij i intereson. Për momentin ne ende nuk e kemi dorëzuar kallëzimin penal, por kemi kërkuar që zyrtarishtr të hiqet nga kalendari…imagjinoni sikur të mos ishit ju gazetarët që e keni parë këtë ndryshim, çfarë do të ndodhte sipas ju?!”- tha Paloka.
java/ a.k