Sekretari i përgjithshëm i NATO-së Havier Solana, më 10 qershor 1999 ka lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Ky vendim i Solanës erdhi pas marrëveshjes së Kumanovës, e cila u nënshkrua ndërmjet NATOS dhe RFJ-së më 9 qershor 1999, ndërsa hyri në fuqi më 11 qershor 1999.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.
Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, citohet Express.
Rezoluta 1244 ende është në fuqi në disa raste, siç është rasti i funksionimit të UNMIK-ut në Kosovë, përfaqësuesit e të cilëve për çdo tre muaj raportojnë tek Këshilli i Sigurimit për gjendjen në Kosovë. (b.an)