Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi e quan tendencë për të kapur sistemin e drejtësisë, insistimin e opozitës për vendet e rezervuara në institucionet e drejtësisë. Topi thotë se opozita po luan me të gjitha mënyrat për të bllokuar reformën në drejtësi. Topi nxit mazhorancën ta çojë draftin në kuvend dhe nëse ai nuk arrin të marrë 94 vota, atëherë t’i drejtohet popullit në Referendum.
“Mjaft prej protagonistëve të politikës, janë maskarenj. Nuk janë të paditur. Janë madje shumë të informuar rreth trajektores që duhet të bëjë pushteti i tyre. Kjo reformë bëhet pikërisht për ta shkëputur drejtësinë nga influenca e politikës. Dhe çfarë ndodh? Ndodh që si kalë beteje merret historia e vendeve të rezervuara. Që do të thotë se prapë pa vendimmarrjen e politikës t’i nuk mund të emërosh asgjë. Organizimin që do të bëjë emërimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve t’ia lë në dorë politikës. Ka një kontradiksion. Kur e thash në fillim që mjaft nga politikanët vendimmarrës nuk janë të paditur, por e ritheksoj janë absolutisht maskarenj. Ekspertët të bëjnë punën e tyre, politika të ngrejë dorën dy herë. Një herë kur t’i japë jetë reformës dhe një herë në fund fare kur ta miratojë apriori. Pse? A themi ne se në çdo fushë do harmonizojmë legjislacionin se do shkojmë në Europë? Atëherë pse të mos pranojmë një paketë që bëhet nga ekspertët europianë? Fakti që fusin pastaj vendet e rezervuara, kjo është një histori e vjetër që unë e njoh shumë mirë dhe kjo histori nuk e nxjerr Shqipërinë në normalitet”, u shpreh Topi për Vizion plus.
Ish-Presidenti i Republikës thotë se gjithçka ka nisur me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008-ë.
Sipas tij, aty e ka zanafillën edhe sjellja e sotme e Presidentit Bujar Nishani.
“Nuk është faji i z.Nishani që është zgjedhur me 71 vota. Apriori ndryshimi i vitit 2008-ë ka sjellë në ligj dhe Kushtetutë pikërisht këtë element, që t’i zgjidhesh me 71 vota dhe këto 71 vota ti je produkt politik i një mazhorance të caktuar dhe pastaj të mendosh që ti do ta bësh punën ndryshe, ajo është në vullnetin tënd. Pra, ti del nga partitë politike dhe sillesh si kryetar shteti. 71 vota nuk ta japin këtë garanci”, tha Topi. Vizion Plus/ a.k