Në këto 4 vjet Tirana ka humbur shumë kohë, ndaj kemi nevojë të trokasim në çdo derë, për çdo votë, për ta çuar qytetin tonë në drejtimin e duhur. Me këto fjalë i është drejtuar kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, një grupi të rinjsh nga njësia nr. 9 në kryeqytet, duke theksuar se në 21 qershor do të fitojmë në 24 zonat administrative.
“Nga sot, kemi edhe dy javë për të bërë një fushatë spektakolare, për të trokitur në çdo derë dhe për të takuar çdo njeri të lagjes. Vërtet jemi në qeveri në Shqipëri, por në Tiranë dhe në njësinë nr.9 jemi në opozitë, ndaj duhet të luftojmë si në opozitë, për çdo votë, për çdo njeri, për çdo banor të kësaj lagjeje, që të vijë në drejtimin e duhur. I kemi vënë një qëllim vetes, që do të fitojmë jo vetëm 11 minibashkitë, por edhe 13 komunat, për të pasur një rezultat 24 me 0 në Bashkinë e re të Tiranës”, deklaroi Veliaj në takimin me të rinjtë, i shoqëruar nga deputeti i PS, Sadri Abazi dhe ministri Bledi Çuçi.
Veliaj tha se banorët e Tiranës e dinë se sa shumë punë janë lënë pa bërë në këto 4 vjet, prandaj pas 21 qershorit bashkia e re duhet të ecë shumë shpejt. “Në këto ditë që kanë mbetur, dua që secili prej jush të marrë detyrën e vet, të bëjë fushatën e tij, të shkojë në çdo derë sepse media më e mirë është kur një njeri i përkushtuar i Partisë Socialiste takon një njeri tjetër dhe e sjell në drejtimin e duhur”, tha ai.
Duke prekur çështjen e legalizimit dhe hipotekimet e pallateve, veçanërisht për njësinë nr.9, Veliaj deklaroi se “në këtë lagje ka shumë pallate që kanë probleme me hipotekat. Ne filluam me disa hipotekime, por ju e dini fare mirë se ligji thotë që kur një investitor ka qenë i papërgjegjshëm dhe ka lënë pa hipotekuar një ose një ambient banimi, është detyra e bashkisë që të bëjë edhe kolaudimin, edhe raportin teknik”, shpjegoi ai.
Më pas Veliaj u takua me banorë të zonës, të cilët i shprehën shqetësimin e tyre për zënien e hapësirave publike dhe mungesën e parqeve për fëmijët. “Kalamajtë nuk kanë ku luajnë, na i kanë zënë me tavolina dhe karrige, nuk lënë asnjë të kalojë. Kemi marrë disa herë Policinë Bashkiake, por asgjë”, u shpreh një banor.
Gjithashtu, kandidati Veliaj preku edhe çështjen e ndërtimeve, duke ritheksuar se lejet që janë dhënë para moratoriumit, do të rishihen. “Lejet që janë dhënë para se të bëhej moratoriumi, kur u ndërrua pushteti, e që këta menduan se u bë shesh për përshesh dhe gjetën terren, do t’i shoh të gjitha. Në këtë lagje, mezi gjendet pak terren për të ecur në rrugë”, tha Veliaj.