Pas 1 korrikut asnjë qytetar nuk do të marrë furnizimin me energji elektrike në rast se nuk ka sahat matës. OSHEE ka nisur një investim i cili përfshin të gjithë vendin, për të pajisur çdo abonent me aparatin e për t’u dhënë fund kështu një herë e përgjithmonë faturimeve aforfe.
Administratori Ardian Çela u bëri thirrje qytetarëve të mos i pengojnë punonjësit për vendosjes e matësave, pasi do të trajtohen si debitorë dhe do të përballen me sanksione.
“Dua t’u bëj dhe një thirrje të gjithë atyre që pengojnë punonjësit tanë në montimin e matësave, që të heqin dorë nga ky qëndrim. Pas datës 1 korrik, kush nuk ka matës nuk do të marrë furnizim me energji elektrike dhe do të trajtohet njësoj si debitorët”, deklaroi Çela.
Ndërsa ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri e cilësoi premtim të mbajtur të qeverisë fundin e epokës aforfe, kur disa qytetrarë paguanin edhe për të tjerët.
“Është një investim shumë i rëndësishëm dhe angazhim që po mbahet. Me rëndësi është të kuptohet nga çdo qytetar se dëmtimi dhe dhunimi i sistemit të matjes nuk do të tolerohet. Kushdo që do të vërë dorë mbi sahatet duke i dëmtuar ato qëllimisht nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit të ashpër. Pajisja e konsumatorëve me matësa ka koston përkatëse financiare. Nuk mundet dhe nuk do të tolerohet që individë të caktuar të dëmtojnë sistemin e matjes dhe koston ta paguajnë qytetarët korrekt me ligjin”, u shpreh Gjiknuri.
Gjiknuri dhe Çela ishin në qytetin e Elbasanit, ku inauguruan fillimin e punimeve të lotit të fundit përsa i takon shtrimit të linjës së tensionit të ulët me kabëll ABC për të gjithë qytetin.
Administratori i OSHEE bëri edhe një bilanc të investimeve në rajonin e Elbasanit, ku, siç tha ai, në dy vitet e fundit janë investuar 5 milionë euro. Sipas Çelës, qytetarët e Elbasanit janë pagues të rregullt të energjisë elektrike dhe pagesat e tyre kompania i ka përkthyer në investime.
TCH/d.i.