Një anekdotë e hershme në vitet e komunizmit tregonte për një fshatar që kishte ardhur në Tiranë dhe kishte parë për herë të parë kinema. I qëlloi të shihte Semiramidën e Babilonisë dhe në një pjesë kur mbreti Kir pin gotën me verë të helmatisur nga Semiramida, u prek shumë nga pabesia. U prek aq shumë, saqë iku të nesërmen ta shihte filmin sërish. Dhe kur erdhi skena e helmimit, me shpresë që të ndalonte përsëritjen e vrasjes së pabesë, u çua në këmbë dhe ulëriti: “Mos e pi helmin Kiri!”
M’u kujtua kjo anekdotë kur mbrëmë dëgjoja dy liderët kryesorë të shpjegonin dështimin e tryezës dhe me gjasë edhe të reformës në drejtësi. Në fakt pashë një farë kimie mes Ramës dhe Bashës, ose më saktë e ndjeva tek deklaratat e tyre. Maksimumi i helmit ndaj njëri tjetrit, ishte më shumë një dozë e lehtë buzëqeshjeje: njëri tha se tjetri kishte bërë fjalimin gati që para takimit. Një gjë e vërtetë. Dhe tjetri si rrallëherë e quajti njërin, se ishte kryetar por jo lider politik i partisë së vet. Edhe ky, tha po ashtu një të vërtetë. Por përtej kësaj kimie të dukshme mes të dyve ka një dështim edhe më të madh, edhe më të rrezikshëm dhe po ashtu të vërtetë: atë të ndërkombëtarëve.
Unë nuk jam nga ata që nuk i ka vlerësuar ndërkombëtarët. Por po ashtu kam parë se ata shpesh janë po aq fajtorë për dështimet, sa janë autorë të sukseseve. Në përgjithësi ama, ata kanë dështuar kur nuk kanë bërë atë rol që ne presim të gjithë që të bëjnë: atë të gjyqtarit. Të rreptë e të drejtë. Sa herë ama kanë tentuar të bëjnë peshoren, kanë dështuar në mënyrë spektakolare.
Ishin këta ndërkombëtarë që dështuan të parandalojnë 21 janarin dhe po ashtu një javë më poshtë të ndalonin 28 janarin. Janë këta ndërkombëtarë që nuk thanë asnjë fjalë kur prokuroria u ndalua të bënte punën e saj, e pastaj u çuditën kur ajo u cilësua si lavire bulevardi.
Janë këta ndërkombëtarë që dikë e quajtën burrë shteti, e një vit më vonë u habitën kur shteti i burrit të shtetit mori ekspertizën e FBI dhe fshiu prapanicat e grupit të zjarrit.
Këta ndërkombëtarë janë dështimi i vërtetë i reformës në drejtësi. Sepse jo thjesht tentuan rrugën më të gabuar për miratimin e saj, porse janë po ashtu fajtorë të rrënimit të karrierës së një politikani që ata vetë e rritën nga shpërgënjtë në vitin 2011.
Eshtë shumë e lehtë besoj të vesh emra në fabulën e mësipërme por njëri është besoj i qartë. Ai është Sali Berisha. Shpesh kur flet me ndërkombëtarët ata e dinë fort mirë, se pushteti i një njeriu që nuk është as president, as kryeministër e as kryetar partie, mbështetet tek ajo që për delikatesë, po e quaj superinfluenca në sistemin e drejtësisë. Por të gjithë këta ndërkombëtarë ishin të qartë se reforma kalonte vetëm nëse “Sali Berisha angazhohej në mënyrë proaktive në proces”. Gjithë procesi i berishizimit të procesit politik për reformën u bazua pra në një prezumim logjik të gabuar: negociojmë me të fortin. Dhe harruan që të fortit po i kërkonin të dorëzonte me vullnet të plotë, pikërisht forcën e tij. Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë. Dhe për këtë nuk ka faj Berisha. Besoj se logjika e tij e thjeshtëzuar politike pas pensionit të vitit 2013, ia ka lejuar atij të bëjë çtë dojë këto muaj. Berishën nuk mund ta akuzosh pse ai punoi kundër. Përkundrazi, ai ka bërë atë që di të bëjë më mirë: të mbrohet. Këtu faj nuk ka as Basha. Nuk besoj se ai i thoshte ndërkombëtarëve në Tiranë, Bruksel a Uashington: “Shiko, merreni edhe Saliun në telefon”. Sepse nuk kishte nevoje. Ata e bënin këtë vetë. Duke prezumuar në mënyrë fatale se Basha nuk është një lider politik, ata në fakt me angazhimin e tyre publik me Berishën dhe me heshtjen fatale që i ka kaplluar sot, janë gjithashtu fajtorët kryesore të goditjes së rëndë që po i japin Bashës, të preferuarit të tyre deri edhe jashtë gardhit të Selisë Blu.
Heshtja e ndërkombëtarëve tani në fund është fatale, por për më shumë për ata vetë. Ata po pranojnë në heshtje jo përgjegjësinë por fajin për mënyrën sesi menduan të kalojnë reformën më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar. Për më keq, janë fajtorë sepse ashtu si fshatari në kinema me Kirin, e dinin shumë mirë se kupa e verës ishte e helmatisur, por ndryshe nga fshatari nuk ishin kaq naivë sa të mendonin se filmi mund të ndalonte nga një ulërimë dhe të kishte një fund tjetër.
Fitorja më e madhe do të kishte qënë që tryeza e djeshme politike të rimblidhej dhe të tregonte se është e aftë të ngrihet mbi këtë “naivitet” kriminal me dashje të ndërkombëtarëve, e të miratojë një reformë ndryshe, me firmë e vulë shqiptare. E di që kjo është e pamundur, por sidoqoftë dhe nëse do dështonte së paku do ishte dështim në përpjekje për të bërë dicka të mirë. Sepse ndër të tjera është e pafalshme që tridhjetë vjet më vonë, në kohën e Iron Man dhe Hollivudit dixhital,të na kujtohen akoma batuta me Kirin dhe Semiramidën e Babilonisë.