Kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha pritet të takohen pasditen e së hënës në mjediset e Pallatit të Kongreseve për të diskutuar rreth reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore.
Stafet respektive të dy partive politike janë pergatitur qe në takim të diskutohet rreth çështjeve më të rëndësishme që po e mbajnë pezull politikën shqiptare.
Kryeministri Edi Rama pritet që të shoqërohet nga kryetari i komisionit për reformën në drejtësi, Bashkim Xhafaj dhe nga bashkëkryetari i komisionit për reformën zgjedhore, Bashkim Fino.
Ndërsa, kryetari i PD-së, Lulzim Basha do të shoqërohet nga nënkryetari i komisionit të reformës në drejtësi, Oerd Bylykbashi.
Një ditë para takimit Rama-Basha, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme në BE, Frederica Mogherini, deklaroi se Shqipërisë i duhet një reformë gjithëpërfshirëse dhe e thellë në sistemin gjyqësor. Reforma në drejtësinë shqiptare, tha ajo, është thelbësore për hapin e ardhshëm të vendit drejt integrimit në BE.
Shefja e diplomacisë europiane tha, po ashtu se reforma duhet të miratohet me 2/3 e votave, dhe se deputetët duhet të mbajnë përgjegjësi për votën e tyre. (javanews.al /r.a)