Një skelet njeriu është gjetur sot në Dajt. Mësohet se skeleti është pikasur në fshatin Shkallë-Tujan. Ka qenë një bari ai që ka vënë re fillimisht dhe ka lajmëruar policinë. Paraprakisht dyshohet se i përket një personi të madh në moshë, ndësa pas këqyrjes së ekspertëve dhe hetimeve, policia thotë se skeleti mund të jetë i një turisti që është zhdukur 4 vite më parë.
“Më datë 05.06.2016, në shpatin e malit të fshatit Shkallë-Tujan, është gjetur një kufomë e skeletizuar, dyshohet të jetë moshë e madhe. Nga hetimet paraprake dyshohet se ka gjetur vdekjen rreth 3-4 vjet më parë.”, citohet në njoftimin paraprak të policisë së Tiranës.
Ndërkaq burime nga policia për News24 japin edhe një version të vdekjes, duke pohuar se viktimën mund ta ketë zënë poshtë një shkëmb i madh. Aktualisht policia po mbledh të dhëna të tjera për identifikimin e kufomës.