Nga Ben Andoni
Mbledhja e tretë e qeverive të dy vendeve shqiptare në rajon ka kaluar pa ndonjë rëndësi. Përveç medias së lidhur me pushtetin respektiv në të dy krahët e kufirit, të tjerat kanë bërë një përcjellje të thatë thjesht për të respektuar, si edhe në të gjitha rastet e tjera motivin patriotik. Mediat i kanë lënë disi vend më shumë autoriteteve zyrtare ekonomike të dy vendeve sepse edhe marrëveshjet në mes tyre anonin më shumë nga logjistika ekonomike ligjore.
Përndryshe, mbledhja s’ka përbërë asnjë lloj interesi, për të mos thënë ka lënë një shije të hidhur me ftesën e munguar të autoriteteve lokale të Luginës dhe më shumë akoma të mos artikulimit të drejtë të disa problemeve të hapura mes dy vendeve tona.
Kosova dhe Shqipëria, respektivisht, janë vende jo vetëm të vogla por edhe pa rëndësi të madhe nga ndikimi i tyre ekonomik në rajon. Shifra prej 200 milionësh që përmendi Edi Rama mund të jetë sugjestionues për ata që nuk njohin ekonominë, por jo realisht për ambiciet e zhvillimit të dy vendeve, që kanë bashkë me Bosnjën, nivelet më të ulëta të papunësisë dhe sidomos ato të investimeve të huaja. Kështu duke mos pasur kapacitetet e duhura ekonomike, me bilance të shpërpjestuara nga importi, prodhimet në të dy vendet mbijetojnë me çdo mënyrë, madje shumë herë dhe duke u prishur me njëra-tjetrën. Të mos harrojmë konfliktet e viteve 2011/12/13/14 për prodhimet dhe bllokimet e njëra tjetrës, tregojnë se shqiptarët e dy vendeve kanë një paragjykim për njëri-tjetrin, që do duhet ende kohë të fashitet. Por më e trishtueshme është fakti se niveli i importeve të Kosovës është i orientuar më shumë nga Serbia dhe Maqedonia, fakt që të bind se mes vendeve tona ka ardhur koha të punohet shpejt për tregun e përbashkët dhe integrimin në këtë treg. Realisht, marrëveshjet e djeshme punonin në këtë drejtim, ndërsa ajo që pritet të shikohet është impakti. Dhe, ai është realisht i papërfillshëm. Dhe, jo vetëm aty, por edhe në fusha të tjera. Ende një porosi e lënë nga mbledhjet e shkuara të dy qeverive që kish të bënte me portalet albanologjike të dy Bibliotekave Qendrore nuk është funksional, akoma s’ka marrë udhë njohja e diplomave nga Kosova, kurse rezultatet e bizneseve të dy vendeve janë tregues i modeleve ekonomike të dështuara, të tipit allashqiptar, që në vetvete përbën një model sesi të mos bësh ekonomi.
Është për “t’u përshëndetur” gjithsesi forma, e cila edhe pse nuk mund të kalojë dot atë të Tiranës prej ekzibicionizmit të lindur të Ramës, por që gjithsesi Prishtina i ishte afruar. Por ekonomisë, vërtetë ambalazhi i mirë e ndihmon, por jo për gjithnjë. Në rastin tonë, ajo që mbetet janë dy qeveri mbushur me skandale të njëpasnjëshme dhe gjithnjë e më larg nevojave të njerëzve të tyre. Kjo mbase mund të flitej pak më shumë në Prishtinë, ashtu si nuk u fol konkretisht me vizion për problemet e Luginës dhe karakterin e konsumatorit të dy vendeve, që le ta themi hapur: nuk është aq familjar me prodhimet e njëra-tjetrës. Pra zhurmë e madhe nga dy ekonomi, që mezi mbahen në këmbë… në verën e vitit 2016.