Ish-administratori i DIA-s, Kastriot Ismailaj bëri gjithçka që parashikonte Kodi i Procedures Penale që të dështonte seanca gjyqësore këtë të premte.
Në kushtet kur mungonte avokati i zgjedhur prej tij, Vladimir Meci, i akuzuar për afera dhe mashtrime në shuma të konsiderueshme, kur CEZ i kishte besuar mbledhjen e borxheve, i këkoi gjykatës që të shtynte seancën. Por trupi gjykues i përgatitur për të mos zvarritur procesin ku parashikohej pyetja e dëshmitarëve, caktoi menjëherë një avokat kryesisht, që ishte njohur më parë me dosjen.
Në këto kushte, i pandehuri Ismailaj kërkoi përjashtimin e trupit gjykues. Por ky i fundit vijoi procesin me argumentin se përsa kohë nuk ka vendim për përjashtimin procesi vijon normalisht.
Në fund, Kastriot Ismailaj kërkoi që të mbrohej nga një tjetër avokat, Denoin Bogdani, i cili ishte në sallë. Gjykata e pranoi këtë kërkesë, ndërsa avokati i ri, i kërkoi gjykatës shtyrjen e seancës pasi duhej të njihej me materialet e dosjes.
Në këtë pikë trupi gjykues u dorëzua, pasi e drejta e avokatit për t’u njohur me dosjen është legjitime dhe e shtyu seancën për në datën 17 qershor, ku pritet të vijohet me pyetjen e dëshmitarëve.TCH/ a.k