Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, në një intervistë për KTV-në se nuk mund ta fajësojë askënd për vendimin e UEFA-s që Feronikeli dhe Prishtina nuk kanë plotësuar kriteret për të luajtur në garat evropiane.
Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka thënë për KTV-në se nuk mund ta fajësojë askënd për vendimin e UEFA-s që Feronikeli dhe Prishtina nuk kanë plotësuar kriteret për të luajtur në garat evropiane.
“Është për keqardhje sepse kemi pritur shumë të gjithë dhe është për t’u pranuar ky lajm me keqardhje, por mendoj se dy klubet kanë bërë maksimumin në periudhën e fundit. Nuk mund t’ia lëmë fajin askujt dhe duhet ta marrim atë si të tillë”, ka thënë ai për Interaktiv.
Vokrri ka thënë se ka biseduar rregullisht me zyrtarët e UEFA-s dhe se ka marrë njoftim se shpërblimet e premtuara për klubet kosovare do të vlejnë edhe pse ato nuk do të luajnë sivjet në Evropë.
“Kam kërkuar që së paku klubet të kompensohen dhe do të bëj çmos që ajo të arrihet që të ketë një shpërblim për dy skuadrat tona. Së paku një kompensim për punën e tyre, posaçërisht në dy javët e fundit”, ka thënë kryetari i FFK-së.
Kriteri financiar ishte problemi kryesor i klubeve që ndikoi në këtë vendim, ka njoftuar Vokrri.
Vokrri ka konfirmuar se më 9 dhe 10 qershor Kosova do të mësojë grupin në të cilin do të luajë në kualifikimet për Botërorin 2018.
Kosova sot luan me Ishujt Faroe miqësoren e parë zyrtare. Ekipet takohen në Frankfurt, ndërsa Vokrri ka veçuar faktin që Kosova luan për herë të parë pa fusnotë dhe pa ndalesat e FIFA-s.
“Do të jetë ndeshja e parë zyrtare ku mund të fitojmë pikët e parë në renditjen e FIFA-s. Është edhe një kuriozitet tjetër se do të largohen fusnotat dhe ndalesat tjera që u bënë më parë”, ka thënë ai.
Vokrri ka bërë të ditur po ashtu se Kosova është në pritje të një sqarimi nga FIFA për futbollistët shqiptarë që luajnë në kombëtare tjera se a kanë të drejtë që të luajnë për Kosovën.
“Ne iu kemi drejtuar zyrës ligjore të FIFA-s që të na japë sqarim. E kemi bërë këtë që të mos na thuhet se jemi pranuar dhe këta nuk kanë shprehur dëshirën për të luajtur për Kosovën. Ne kërkojmë që seleksionuesi të bëjë zgjedhjen më të mirë. Kur them më të mirën them që të gjithë lojtarët më të mirë që janë me origjinë nga Kosova. Kërkojmë që të kemi ekipin më të mirë të mundshëm. Është vullneti i tyre”, ka përfunduar Vokrri.
Express/d.i.