Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së Taulant ballës i cili i bënte thirrje prokurorisë të hetonte Flamur Nokën për mashtrim në formularin e vetëdeklarimit në kuadër të ligjit të Dekriminalizimit.
Nëpërmjet një deklarate shpërndarë për mediat PD deklaron se Noka nuk ka bërë asnjë krim, por theu perden e hekurt. Sipas PD ai aso kohe i’u dorëzua Fatmir Xhafës, sigurimit të Ruçit dhe gjyqtarit Fehmi Abdiu që e trajtuan si “armik të partisë”.
Deklarata e PD:
Formulari i dekriminalizimit, është konceptuar që secili prej zyrtarëve të këtij vendi t’i rrëfehet opinionit publik për krimet e rënda që mund të ketë kryer, dmth për: përdhunimet, vrasjet, trafikimin e drogës e të prostitutave.
Shumë prej këtyre bëmave i ka kryer dhe Taulanti i Partisë ndaj të cilit nuk mungojnë denoncimet dhe dëshmitë.
Formulari i dekriminalizimit, nuk është konceptuar që zyrtarët të rrëfejnë meritat, aktet e trimërisë apo të heroizmit të kryera kundër Sigurimit të Shtetit dhe sistemit të përdhunuesve të një kombi të tërë.
Flamur Noka në vitin 1990 bëri zgjedhjen e tij, pa rezerva e frikë, në favor të lirisë. Theu perden e hekurt.
Ata e kthyen e ia dorëzuan Fatmir Xhafës, i cili së bashku me Sigurimin e Gramoz Ruçit, kishin për detyrë t’i bënin hetuesinë, ta demaskonin e ndëshkonin armikun e regjur të Partisë dhe Atdheut socialist, 19 vjeçarin Flamur Noka.
Pas kësaj, fatin e tij e kishte në dorë personalisht shoku Fehmi Abdiu, kryetar i Gjykatës Popullore të Kukësit, i cili njësoj si për Havzi Nelën, do të administronte në dosje edhe opinionin me shkrim të Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së Kukësit, shokut Sulejman Bushati. Më tej, “armiku” 19 vjeçar Flamur Noka, kishte të drejtën, identik si Havzi Nela, t’i kërkonte mëshirë shokut Kristaq Rama, i cili njësoj si për Havzi Nelën, do të firmoste “ekzekutim me varje në litar”.
Për fat të mirë, të gjithë sa përmenden më sipër nuk e patën kohën e duhur të mbyllnin ciklin e përdhunimit në grup të dinjitetit njerëzor dhe dëshirës për liri, pasi në dhjetor të vitit ’90 u shembën e u fshehën skutave.
Ndaj, Flamur Noka sot nuk është në një varr pa emër, dhe të njëjtët monstra, e kanë përballë në çdo të pabërë që po i përsërisin prapë këtij populli.
/a.m.