I riu që shkaktoi aksidentin e djeshëm në zonën e njohur si “Fresku”, duke lënë të vdekur një vajzë vetëm 3 vjeçe, teksa ishte me prindërit duke ecur në trotuar ka qenë nën efektin e drogës.
“Panorama” duke iu referuar policisë shkruan sot se autori i aksidentit, 21- vjeçari Françesko Otobashi, i cili sipas Policisë ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike, ka humbur kontrollin e mjetit, duke përplasur për vdekje vajzën e mitur.
Goditja ka lënë të plagosur rëndë babanë e saj, Roland Sh. dhe ka dëmtuar më lehtë nënën. Ngjarja ka ndodhur para një supermarketi në rrugën e “Thesarit”, siç njihet nga banorët e zonës.
Prindërit bashkë me vajzën e mitur sapo kishin ndalë nga aty, pasi kishin blerë ushqime. Pasi kishin bërë vetëm disa hapa në trotuar, janë përplasur nga makina tip “Volkswagen”, me targë AA 416 LY.
Automjeti ka qenë duke lëvizur nga “Fresku” në drejtim të repartit të forcave speciale RENEA dhe në një moment ka dalë në krahun tjetër të rrugës, në të majtë, ku ka shkaktuar aksidentin.
Më pas ka dalë nga makina dhe nuk ka qëndruar për t’i dhënë ndihmën e parë viktimës e të plagosurve, por është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes. Në vendin e aksidentit shkuan menjëherë shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të Komisariatit nr.4.
Burimet thanë se 3-vjeçarja u transportua me urgjencë në Spitalin “Nënë Tereza”, por mjekët thanë se ajo nuk kishte shenja jetë.
Ndërsa babai i saj, po ashtu u dërgua për mjekim me plagë të rënda dhe një shembje të fortë në njërën këmbë. Sipas Policisë, nëna e të miturës ka pësuar disa plagë, por pa probleme serioze. Edhe ajo është dërguar për të marrë mjekim në spital.
r.a