Përmes deputetit Musa Ulqini, PS i ka kërkuar edhe këtë të hënë opozitës që të flasë dhe të kërkojë ndjesë për të inkriminuarit e saj, pavarësisht se ka qenë kjo e fundit që ka akuzuar qeverinë dhe socialistët për persona të lidhur me krimin.
Musa Ulqini, tha se PD duhet të përgjigjet për deputetë si Flamur Noka, Arben Ristani apo Alban Zeneli, jo vetëm që duket se janë në shkelje flagrante të ligjit, por as nuk denjojnë të thonë arsyet e dënimeve të tyre apo deklarimeve të rreme që kanë bërë dhe që janë në kundërshtim me ligjin për dekriminalizimin.
Deklarata e Musa Ulqinit:
Partia Socialiste dhe mazhoranca e miratuan ligjin për dekriminalizimin të bindur se kjo ishte rruga e vetme ligjore, por edhe politike e morale, për të provuar përpara opinionit publik se sa e pavërtetë ishte akuza e lidershipit të PD, se në grupin parlamentar të Partisë Socialiste kishte as më pak e as më shumë, por plot 19 kriminelë.
Sot që ligji i ka dhënë plotësisht efektet e veta, shqiptarët kanë rastin të binden se në Grupin Parlamentar të PS nuk ka jo 19, por as edhe një kriminel.
Për këtë arsye sot PS dhe opinioni publik kërkojnë nga PD dhe lidershipi i saj, nga Lulzim Basha e Sali Berisha, që të japin një shpjegim për baltën që për dy vite rresht hodhën pa kursim mbi përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë.
Aq më tepër që sot deputetë si Flamur Noka, Arben Ristani apo Alban Zeneli, jo vetëm që duket se janë në shkelje flagrante të ligjit, por as nuk denjojnë të thonë arsyet e dënimeve të tyre apo deklarimeve të rreme që kanë bërë dhe që janë në kundërshtim me ligjin për dekriminalizimin.
Partia Demokratike në vend që të kërkojë ndjesë për përbaltjen më të madhe që u është bërë përfaqësuesve të popullit në historinë e parlamentarizmit shqiptar, hesht për deputetët e saj dhe baltos këdo që kërkon informacion apo shpjegime për implikimin e këtyre deputetëve nga ligji për dekriminalizimin.
Së fundmi dua ti kujtoj kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, se misioni i opozitës është të thotë të vërtetën dhe jo të ndërtojë kauza të gënjeshtërta, se në pushtet nuk vihet duke përbaltur kundërshtarët, por duke ndërtuar alternativa qeverisëse për shqiptarët.
java. a.k