Ish-ministri Genc Ruli shprehet kundër ndryshimeve kushtetuese që nuk kanë lidhje me Reformën në Drejtësi.
Në një intervistë për “Panoramën”, deputeti demokrat thekson se disa prej ndryshimeve në Preambulën e Kushtetutës janë bërë qëllimisht për të përfshirë në draft ndryshimin për mosdiskriminim ndaj orientimeve seksuale, gjë që do t’u hapë rrugë martesave gej.
Sipas Rulit, kjo është shtesa e tretë, e cila është bërë në nenin 18 të Pjesës së Parë të Kushtetutës, ku deklarohet se “askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja etj. etj.”.
“Pikërisht te shkaqet e diskriminimit është përfshirë si shtesë edhe “orientimi seksual”. Shqipëria ka sot një legjislacion më se liberal e të standardeve europiane për sa i përket lirisë së orientimit seksual. Atëherë përse duhej marrë mundimi të bënim këtë shtesë të panevojshme në Kushtetutën tonë? Tingëllon përsëri absurde, njëlloj si dhe dy shtesat e mëparshme, por me sa duket, edhe shtesat e mëparshme janë bërë për të mbuluar ndërhyrjen në Pjesën e Parë të Kushtetutës, pikërisht për të futur këtë frazë mbi orientimin seksual. Nuk besoj se i largohem shumë të vërtetës, por nga zyrtarë e diplomatë të huaj, Shqipëria ka një presion të vazhdueshëm për njohje ligjore të martesave gej”.
Ruli sqaron se, ndërhyrja në Kushtetutë po bëhet për t’i çelur rrugën një reforme jetike, asaj të sistemit të Drejtësisë dhe jo për të liberalizuar më tej statusin ligjor të homoseksualëve, çka nuk ka po të njëjtën prioritet, sa edhe Reforma në Drejtësi.
“Së dyti, komisioni i posaçëm i ekspertëve për Reformën në Drejtësi shkel rëndë mbi mandatin e Kuvendit, por edhe mbi dinjitetin e shqiptarëve kur, me një lloj “hileje”, fut këtë shtesë në Kushtetutë. Sot janë ende pak vendet europiane e perëndimore që i njohin ligjërisht martesat gej. Shqiptarët do të kenë kohën e të drejtën e tyre të vendosin vetë për një çështje të tillë, pa u sforcuar të shtiren më liberalë sesa janë sot”- thote Ruli.
Sipas tij, e drejta për ta gjykuar vetë shqiptarët këtë çështje, si dhe zgjedhja që ata do të bëjnë, nuk mund të defektohet me këtë hile juridike dhe as t’u bëhet fakt i kryer në padijeni. Kjo çështje, kur t’i vijë koha, duhet debatuar publikisht dhe vullneti i shqiptarëve, ndoshta, do të duhet të shprehet me referendum kombëtar.
Panorama/d.i.