Kreu i Kuvendit, Ilir Meta dha të dielën pasdite një pritje për delegacionet pjesëmarrëse në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, që po zhvillon punimet në Tiranë.
Meta gjatë fjalës së tij në ceremoninë e organizuar në ambientet e Pallatit të Brigadave, tha se kanë diskutuar si aleatë për çështje të sigurisë. Ai tha se problemet e sigurisë janë probleme të përbashkëta.
“Problemet që kanë fqinjët dhe partnerët tanë janë dhe problemet tona dhe anasjelltas. Jam i lumtur që jemi mbledhur këtë mbrëmje, pas dy ditëve të para të punimeve të asamblesë së NATO-s, një takim që afron edhe më tepër vendet tona”, tha Meta.
Kryetari i Kuvendit, Meta kujtoi se shumë shpejtë do të nisë dhe Europiani “Francë 2016”, ku këtë vit debuton dhe Shqipëria. “Këtë vit do jemi dhe ne përkrah shumë prej jush në finalet e Europianit dhe për këtë ju uroj të gjithëve suksese”, vijoi Meta.
Për kreun e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michael Turner, Shqipëria ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për paqen në botë. Ai theksoi se shqiptarët kanë qenë një popull i privuar nga liria, por sot janë pjesë e aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake të globit. “Shqipëria ka qenë një partnere dhe aleate e rëndësishme e jona. Është kënaqësi e madhe të jemi në Tiranë në këtë eveniment të rëndësishëm. Nuk e ekzagjerojmë të themi se shqiptarët kanë qenë gjithnjë të privuar nga liria. Dhe sot janë një vend i rëndësishëm i Aleancës për ruajtjen e garantimin e paqes në botë“, u shpreh Turner.
Ai vlerësoi marrjen e ftesës nga Mali i Zi, duke e cilësuar këtë sukses për të gjithë rajonin. Turner tha se Shqipëria ka qenë mbështetëse e anëtarësimit të Malit të Zi.
“Integrimi i Malit të Zi është një sukses jo vetëm për këtë shtet, por edhe për Shqipërinë. Është pikërisht Shqipëria ajo që ka patur një angazhim të madh në këtë proces. Ju tashmë keni eksperiencë, keni një vend të bukur dhe një popull të mrekullueshëm“, theksoi Turner.