Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi në fjalën e mbajtur të shtunën në hapje të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Tiranë, deklaroi se bashkëpunimi rajonal është mjaft i rëndësishëm për integrimin në Bashkimin Evropian.
“Integrimi në Bashkimin Evropian i vendeve të rajonit nuk do të ketë sukses nëse nuk do të ketë bashkëpunim, pasi vetëm me përpjekjen e përbashkët rajoni do të mund të vazhdojë rrugën drejt BE-së”, deklaroi ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Ekonomi.
Sektori elektroenergjitik është një ndër sektorët, që sipas ministres Ekonomi, do të bënte që bashkëpunimi rajonal të ishte i suksesshëm. Lidhur me këtë, ajo siguroi se Shqipëria mbetet e hapur për të bashkëpunuar me vendet e rajonit. “Për Shqipërinë bashkëpunimi rajonal do të thotë angazhim i përbashkët për të ruajtur paqen dhe për të rritur bashkëpunimin në sektorë të ndryshëm”, theksoi ministrja Ekonomi.
Sipas saj, Shqipëria po kalon transformim të rëndësishëm, ku rritja ekonomike po merr hov, ndaj dhe qeveria është e angazhuar për të ndërmarrë të gjitha masat dhe reformat e nevojshme për të mbështetur zhvillimin ekonomik. Ekonomi deklaroi se gjendja ekonomike në vend është e stabilizuar. “Në 5 vitet e fundit Shqipëria shfaqet ndër vendet me fluksin më të lartë të investimeve të huaja në rajon”, informoi ministrja Ekonomi.
Kjo Asamble, sipas ministres Ekonomi, është një mundësi shumë e mirë për Shqipërinë. Arsyeja e kësaj Asambleje është rritja e bashkëpunimit në nivel më të gjerë, por edhe angazhimi për ruajtjen e paqes dhe stabiliteit.
Sesioni i Pranverës i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i organizuar nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë, nisi të shtunën punimet në Tiranë. Ky takim, që po mbahet për herë të parë në Shqipëri, bën bashkë më shumë se 250 parlamentarë nga 28 vendet anëtare të NATO-s, nga Amerika e Veriut dhe Evropa, si dhe delegatë nga vendet partnere dhe vëzhgues, që do të diskutojnë çështjet e sigurisë ndërkombëtare aktuale. (javanews.al /r.a)