Byroja e kuvendit ka vendosur përjashtimin e deputetit të PD-së, Sali Berisha me 10 ditë nga kuvendi i Shqipërisë.
Përmes një prononcimi për mediat, pas mbledhjes, deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla sqaroi se për shkak të thyerjes së rregullores, ish-kryeministri do të përjashtohet 10 ditë nga kuvendi.
“Byroja e kuvendit është e detyruar që të respektojë rregulloren. Rregulloret e kemi miratuar të gjithë së bashku dhe jo vetëm PS, pra është miratuar me konsensus të plotë. Ligji duhet respektuar dhe është i barabartë për të gjithë. Më vjen keq që ish kryeministri thyen rregulloren në mënyrë të përsëritur’, tha Balla. Ai tha se të enjten shqiptarët do të kenë mundësi të shohin një seancë normale të Kuvendit.
Deputeti demokrat, Edmond Spaho e lidhi vendimin e Byrosë me reformën në drejtësi, kur tha se një grup brenda PS është i interesuar ta shohë jashtë Kuvendit PD.
Propozimi për përjashtimin e Berishës erdhi pas seancës të së enjtes, ndërkohë që kërkesa u bë nga kreu i grupit socialist, Gramoz Ruçi.