Erdhi përpara publikut roman si kurrë ndonjëherë më parë. E ulur në karrige për të mos u veçuar nga Orkestra, me një fund të gjatë deri në fund të këmbëve, me një orkestër klasike dhe pianon në sfond dhe e drejtuar nga i mirënjohuri Enrico Melozzi, Elsa Lila shënjoi një stacion të ri në karrierën e saj muzikore. Ashtu si pak kush ka mundur të shohë një këngëtare shqiptare që i perket botës ndërkombëtare të muzikës.
Në datën 13 maj, në Romë, këngëtarja Elsa Lila ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm. Lila ka kënduar e shoqëruar nga Orchestra Notturna Clandestina dhe dirigjent Enrico Melozzi në koncertin me titullin “Da Bach ai Balcani” duke afruar disa gjetje befasuese artistike. Një nga to dhe ndër më të duartokiturat ishte koncerti Numër 23 për Piano dhe Orkestër i Mozart. Eksperimenti i dyshes fantastike Melozzi & Lila ishte vërtet i jashtëzakonshëm: ata adoptuan muzikën e Mozartit me poezinë e famshme të Lasgush Poradecit Dremit Liqeri. Bashkëjetesa e shqiptarit të vargjeve në letër me poetin e madh nga Salsburgu të notave në pentagram, u vizatua nga Lila në një mënyrë tërësisht origjinale dhe bëri që publiku të mbante frymën në teatrin Nuovo Cinema Palazzo Piazza dei Sanniti), në Romë.
Në këtë koncert, Elsa Lila, duke dashur t’u qëndrojë sa më besnike autorëve klasikë të muzikës, sipas kritikës ka përdorur zërin e saj natyral, pa impostimin lirik duke bërë të mundur kështu, që t’i afrohet shumë origjinalit dhe mënyrës sesi vetë kompozitorët kanë menduar të interpretohet muzika e tyre.
Repertori i natës së 13 majit të Elsës përfshinte dhe Vivaldin me arien Gelido in ogni Vena nga opera ”Il Farnace”, Bach me dy arie nga Magnificat, Mozart, një arie nga violonçelisti i 100 violinçelave, Giovanni Sollima, Arien “The waves” nga opera e tij me 2 akte “Elli’s Island”, me temë emigrimin italian në SHBA të viteve 30’, e të tjerë.
Pjesa e dytë e koncertit ka qenë me muzikë shqiptare te perzgjedhur, përfshi këtu dhe një kolonë zanore të një filmi të realizimit socialist, materiale të gjitha të riorkestruara e të përshtatura për një orkestër klasike si Orchestra Notturna Clandestina!
Ky koncert është programuar do të shtegtojë në të gjithë Ballkanin e më gjerë, siç thotë dhe titulli i tij. Dhe do të interpretohet edhe në Tiranë dhe Prishtinë, ku me siguri, do të njohë të njëjtin sukses dhe do të marrë të njëjtat duartokitje, kësaj rradhe “autoktone” për Elsën, shqiptaren nga Evropa.
Elsa për orkestrën e saj: pse ky emër?
I pari është Enrico Melozzi, ideatori, dirigjenti dhe lokomotiva e “Orchestra Notturna Clandestina”, me të cilin më lidh tashmë një miqësie e bashkëpunim i gjatë. Enrico Melozzi është violonçelist, kompozitor, arranxhator dhe dirigjent. E ka ngritur para pak kohe këtë orkestër me muzikantë shumë të zotë, të angazhuar në “përditshmërinë” e tyren në shumë produksione artistike të ndryshme, por të lodhur nga ekzekutimi vetëm i muzikës që u dikton programi i këtij apo atij teatri, i kësaj apo asaj akademie, apo kush për to merr vendim mbi muzikën që duhet luajtur.
Orkestra është “klandestine” pikërisht sepse qëndron jashtë çdo forme të burokracisë kulturore që mbizotëron sot në Itali, nuk aplikon në shtet për të pasur mbështetje financiare apo “kontribute” politike, por është një organizëm shumë më i gjallë e aktiv se të tjerët, të ashtuquajtur “institucionalë” apo “të ligjshëm”, që shpesh u ngjajnë elefantëve në fund të jetës që tërhiqen në shkretëtirë.
Orkestra ka mbiemrin “E natës” sepse gjatë ditës, për të siguruar jetesën, orkestrantët e saj shkojnë të bërë muzikën e të tjerëve. Por në mbrëmje mblidhen për të bërë muzikën e tyre. Muzikën që ata zgjedhin e që u pëlqen atyre, e i bën të ndihen më pranë tingujve që për shpirtin e tyre është Muzika e vërtetë. Ata interpretojnë muzikë klasike, të kompozitorëve bashkëkohorë e bëjnë eksperimentime nga më të ndryshmet. U jep forcën pasioni, entuziazmi e dashuria e pastër, e vërtetë, e pakufi për familjen e tyre të bukur që është pikërisht “Orchestra Notturna Clandestina”.