Nga SHABAN MURATI
Dy ngjarje të ditëve të fundit hapën një kapitull të ri për avancimin e strategjisë atlantike në rajonin tonë. Në datën 18 maj u zhvillua votimi në mënyrë unanime në Kongresin amerikan të “Defence authorisation act”, që i kërkon qeverisë amerikane të përgatisë Kosovën për përfshirjen në programin “Partneritet për paqe” të NATO-s, dhe në datën 19 maj ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s nënshkruan në Bruksel protokollin zyrtar të pranimit të Malit të Zi në NATO. Janë dy lëvizje domethënëse, të cilat krijojnë një situatë të re sigurie në rajon dhe inkurajojnë faktorët e shpejtimit të rrugës së integrimit atlantik të Kosovës. Në këtë situatë të re të procesit të integrimit atlantik në rajonin tonë merr një specifikë të re çështja e integrimit atlantik të Kosovës, për realizimin e objektivit të saj strategjik të anëtarësimit në NATO. Kjo specifikë e re lidhet me koniunkturat aktuale strategjike në rajonin tonë dhe sidomos me kohën kur po ndodhin këto lëvizje dhe ndryshime.
Kërkesa e votuar në mënyrë unanime në Kongresin amerikan, që qeveria amerikane të përgatisë përfshirjen e Kosovës në programin e NATO-s të “Partneritetit për Paqe”, është tepër e rëndësishme. Është e rëndësishme sepse programi i partneritetit për paqe konsiderohet si paradhoma e anëtarësimit në NATO për ato shtete, të cilat kanë orientim atlantik dhe kanë konsensusin e politikës dhe të opinionit publik të vendit për këtë anëtarësim, siç e ka Kosova. Anëtarësimi në programin e “Partneritetit për Paqe” mund të mos ketë rëndësi për Rusinë apo Serbinë, të cilat janë anëtare të këtij programi, të cilat ndjekin një kurs antiatlantik dhe natyrisht nuk duan që të hyjnë në NATO. Por për Kosovën, që si shtet dëshiron dhe ka si objektiv strategjik anëtarësimin në NATO, përfshirja në programin e partneritetit për paqe merr një rëndësi të posaçme. Merr rëndësi të posaçme, sepse kemi mbështetjen e një votimi bipartizan në Kongresin amerikan dhe është e njohur se çfarë peshe ka Kongresi amerikan dhe qeveria amerikane në procesin e vendimmarrjes për dinamikën e anëtarësimit të një shteti në NATO. Votimi bipartizan do të thotë gjithashtu se, cilado qofshin rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, qëndrimi strategjik amerikan mbetet ai i mbështetjes së anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Nënshkrimi i protokollit zyrtar të pranimit të Malit të Zi në NATO ka rëndësi të veçantë, sepse përfundon apo përmbyll zyrtarisht procesin e perimetrit atlantik të gadishullit tonë, ku të gjitha shtetet periferike të rajonit janë anëtare të NATO-s. Kjo nxjerr në plan të parë tani shqetësimin e vakumit strategjik, që krijohet në luginën e gropës së zezë të sigurisë në Ballkanin qendror, ku kemi katër shtete që nuk janë anëtare të NATO-s, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia. Është një situatë vërtet e papranueshme në planin strategjik dhe të sigurisë, kur perimetri i rajonit rreth e qark është i garantuar nga arkitektura atlantike e sigurisë, ndërsa qendra e rajonit mund të klasifikohet zonë pasigurie për shkak të disa shteteve, që kanë preferuar vakumin dhe mosintegrimin atlantik. Serbia e ka zgjedhur me vullnet rrugën e refuzimit të integrimit atlantik, kur disa muaj pas anëtarësimit në vitin 2006 në programin e NATO-s “Partneritet për paqe”, adoptoi nën presionin e Rusisë të ashtuquajturën doktrinë të neutralitetit ushtarak pikërisht për të mos hyrë në NATO. Bosnjë-Hercegovina, për shkak të qëndrimit refuzues të udhëheqjes proruse të “Serpska Republikës” e ka të pamundur të hyjë në rrugën e integrimit atlantik. Maqedonia, e cila humbi me vetëdije trenin e anëtarësimit të saj në NATO në prill të vitit 2008, kur u shkëput nga grupi i përbashkët i kandidatëve atlantikë me Kroacinë dhe me Shqipërinë, vazhdon me qeverinë “Gruevski” taktikën e saj indirekte të refuzimit të integrimit atlantik, nëpërmjet rritjes së qëllimshme të intransigjencës në raportet me Greqinë për çështjen e emrit, që ka bllokuar formalisht integrimin e saj euroatlantik. Në këtë luginë të refuzimit atlantik në Ballkanin qendror mbetet e vetmja Kosova si shteti i cili ka orientimin zyrtar, gatishmërinë, vullnetin dhe konsensusin e politikës dhe të gjithë opinionit publik të vendit për anëtarësim në NATO. Pra ka lindur dhe është forcuar nevoja e mbushjes së këtij vakumi strategjik në Ballkanin qendror nëpërmjet integrimit atlantik të Kosovës.
Ekzistenca e luginës së refuzimit atlantik e bën më të kërkueshëm dhe më aktual procesin e nxitjes së dinamikës së anëtarësimit të Kosovës në aleancën atlantike. Sepse përfshirja e Kosovës në procesin e integrimit të shpejtuar atlantik, nga “Programi i partneritetit për paqe”, te “Plani i veprimit për anëtarësim” e pastaj tek anëtarësimi i plotë, do të ishte një përmbysje e raporteve të pasigurisë në Ballkanin qendror dhe një mbushje e gropës së zezë të vakumit të krijuar në Ballkanin qendror nga shtete, që nuk duan të hyjnë në NATO. Nuk është rastësi që kjo luginë e vakumit strategjik në Ballkanin qendror ka mbështetjen aktive të Rusisë, dhe shtetet që refuzojnë integrimin atlantik karakterizohen nga qeveri dhe orientime strategjike proruse.
Kohën e shpejtimit të integrimit atlantik të Kosovës e bëjnë më të përshtatshme rrethanat e tensionuara rajonale dhe europiane, të acaruara nga agresioni rus në Ukrainë, aneksimi i dhunshëm i Krimesë dhe nxitja e separatizmit prorus në Ukrainën lindore. Këto veprime agresive të Rusisë kanë pasur si reperkusion erëra të reja tensionesh dhe pasigurie në rajonin e Ballkanit. Ka një intensifikim të kërcënimeve të drejtpërdrejta ushtarake ruse muajt dhe javët e fundit në adresë të shteteve atlantike në rajon, si kundër Turqisë, Rumanisë dhe Malit të Zi. Ka një rritje të ndërhyrjes së politikës, të diplomacisë dhe të institucioneve të nëndheshme ruse në vendet e Ballkanit, si në Mal të Zi, në Maqedoni, në Bosnjë-Hercegovinë, por edhe në shtete të tjera, përfshirë Shqipërinë, për të provokuar tensione dhe pastabilitet. Disa kriza politike në disa shtete të Ballkanit duhen parë të lidhura ngushtë me strategjinë ruse të tensioneve në rajonin tonë. Reagimi disproporcional dhe histerik i Moskës ndaj aktit të nënshkrimit të protokollit të pranimit të Malit të Zi në NATO zbuloi edhe njëherë se cila është forca që ushqen antiatlantizmin në vendet e Ballkanit. Në këto rrethana të reja bëhet e qartë se rritet roli dhe pesha e shteteve kandidate proatlantike si Kosova në procesin e integrimit atlantik të rajonit.
Koniunkturat e reja dhe sidomos koha, kur po ndodhin këto zhvillime me theks strategjik, nxjerrin në plan të parë të veprimit politik dhe diplomatik bashkëngjitjen dhe veprimin katalizator në procesin e integrimit atlantik të Kosovës. Në këto kushte, mendoj se bëhet e nevojshme ndërmarrja e një nisme nga ana e Tiranës brenda aleancës atlantike për shpejtimin e procesit të integrimit atlantik të Kosovës në NATO. Shqipëria, jo vetëm është anëtare e NATO-s, por ka detyrimin dhe përgjegjësinë kombëtare që të shohë të realizuar integrimin e kombit shqiptar në organizatën atlantike. Që do të thotë se duhet të punojë për realizimin e këtij projekti madhor. Shqipëria i ka mundësitë, mjetet dhe hapësirat brenda aleancës atlantike, që të veprojë për krijimin, jo vetëm të klimës, por edhe të shpejtimit të hapave të integrimit atlantik të Kosovës. SHBA është aleati strategjik numër një i Shqipërisë, dhe Shqipëria e populli shqiptar janë dëshmuar si shteti dhe populli më besnik ndaj idealeve atlantike. Kjo përbën një kapital të çmuar diplomatik të Shqipërisë, i cili duhet shfrytëzuar. Shqipëria mund ta ndërmarrë këtë nismë si shtet anëtar i NATO-s, i cili mund të japë edhe garancitë e duhura për rekomandimin e integrimit të shpejtuar atlantik të Kosovës në NATO. Shqipëria duhet ta shndërrojë devizën e dyerve të hapura të NATO-s në devizën e dyerve të hapura për Kosovën. Shqipëria mund të ndjekë edhe formula të njohura diplomatike, duke ftuar në nismën e saj ndonjë shtet apo disa shtete të tjera anëtare nga rajoni, si Kroacia dhe Turqia, të cilat për arsye të kuptueshme, mendoj se do të ishin të gatshme ta përkrahnin një nismë atlantike të Tiranës për shpejtimin e integrimit atlantik të Kosovës. Gjatë vizitës, që zhvilloi në Kosovë në muajin mars të këtij viti, ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Josip Buljeviç, deklaroi se “Kroacia e sheh Kosovën të integruar në BE e në NATO, dhe për këtë keni mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të shtetit të Kroacisë. Ka një praktikë të ndjekur edhe më parë në gjirin e NATO-s, kur Turqia dhe Greqia ndërmorën së bashku nismën diplomatike “2 plus 2” për të mbështetur anëtarësimin e Bullgarisë dhe të Rumanisë në NATO.
Disa vështirësi që janë në terren, si mosnjohja e Kosovës nga katër shtete anëtare të NATO-s, si Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, nuk mendoj se duhen parë si dekurajuese. Së pari nuk duhet harruar se katër shtetet e mësipërme, pavarësisht se nuk e njohin Kosovën, kanë rënë dakord që Kosova të ecë në rrugën e saj të integrimit europian, madje iu bashkëngjitën presionit të BE mbi Serbinë që edhe ajo të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në BE. Nëse katër shtetet kanë pranuar integrimin europian të Kosovës, është e vështirë të paraqesin pengesa reale për anëtarësimin atlantik të saj, aq më tepër që në planin e sigurisë, edhe Rumania, edhe Sllovakia, por edhe Greqia, e kuptojnë se anëtarësimi atlantik i Kosovës shfaqet si një nevojë e shtuar e sigurisë atlantike rajonale, nga e cila përfitojnë edhe ata. Për sa i përket Serbisë, është e njohur se ajo ka pranuar që Kosova të shkojë si shtet në BE me marrëveshjen e 19 prillit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Këtë e theksojmë, jo se Serbinë ka për ta pyetur ndokush për integrimin atlantik të Kosovës, por si element që anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk mund të sjellë shqetësime reale në Serbi. Portali serb “B92” citonte në 20 maj deklaratën e një diplomati serb, Zoran Milivojeviç, i cili duke komentuar hapin e Kongresit amerikan për përfshirjen e Kosovës në partneritetin për paqe, theksonte se “Kosova në NATO nuk do të jetë një faktor destabilizues”.
Një nismë e ndërmarrë nga Tirana me objektivin e shpejtimit të pranimit të Kosovës në NATO kërkon, pa dyshim, një bashkëpunim special dhe koordinim më të ngushtë me qeverinë dhe me institucionet e Kosovës, që ato të përmbushin sa më parë parametrat e duhur për pranimin në partneritetin për paqe dhe në të gjitha fazat e integrimit atlantik. Kjo kërkon në radhë të parë krijimin e ushtrisë së Kosovës, ku lakmitë individuale të pushtetit të forcave politike në Prishtinë të mos krijojnë pengesa artificiale për konsensusin parlamentar të shndërrimit të forcave të sigurisë në ushtri. Kjo kërkon krijimin e një klime politike të qëndrueshme, ku konsensusi strategjik për integrimin europian dhe atlantik të mbizotërojë mbi meskinitetet e arrivizmit politik të njërës apo tjetrës forcë politike në Kosovë. Shqipëria duhet ta shoqërojë nismën e saj për integrimin atlantik të Kosovës me një ndihmesë më të madhe në drejtim të përgatitjes së politikës dhe të institucioneve të Kosovës për avancimet atlantike.
Një nismë e Tiranës brenda aleancës atlantike për shpejtimin e procesit të integrimit atlantik të Kosovës në NATO do të ishte një kontribut madhor për stabilizimin e rajonit, por edhe për konsolidimin e rolit dhe peshës së Shqipërisë dhe të kombit shqiptar në proceset euroatlantike të gadishullit. Për nismat ka rëndësi jo vetëm çështja, por sidomos koha, dhe nuk duhet harruar se koha e duhur në diplomaci është si shanset, të cilat nuk përsëriten shpesh.