Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, po merr pjesë në Asamblenë e 69-të Botërore të Shëndetit, në Gjenevë, e cila çeli punimet në 23 maj.
Në këtë asamble marrin pjesë rreth 3500 delegatë nga 194 Shetet Anëtare të OBSh-së, përfshirë një pjesë të madhe të ministrave të shëndetësisë po ndjekin Asamblenë e Shëndetit, e cila i mbyll punimet në 28 Maj.
Asambleja i hapi punimet me diskutimin e përgjithshëm të seancës plenare me temë: “Transformimi i botës: Axhenda 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm,” si dhe fillimin e diskutimeve të delegatëve të Sheteve Anëtarë për ecurinë e reformës së OBSh-së.
Gjatë zhvillimeve të punimeve, Ministri Beqaj u takua me përfaqësues të delegacioneve të ndryshme, si ai i Francës, Turqisë dhe Zvicrës, ku u diskutua qoftë për temat kryesore të Asamblesë, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit reciprok në fushën e shëndetësisë.
Beqaj u takua gjithashtu edhe me Dr. Zsuzanna Jakab, Drejtore e Zyrës Rajonale të OBSh-së për Evropën, ku u diskutua për ecurinë e bashkëpunimit të ngushtë e të frytshëm ndërmjet Shqipërisë dhe Zyrës Rajonale të OBSH-së për Evropën.
Në fjalën e saj përshëndetëse të Asamblesë, Dr. Margaret Chan, Drejtore e Përgjithshme e OBSH-së theksoi midis të tjerash se, “Mbulim shëndetësor universal është objektivi kyç që mbështet të gjithë objektivat e tjerë të zhvillimit të qëndrueshëm. Kjo është shprehja themelore e drejtësisë që nuk përjashton askënd.”
Gjithashtu, delegatët diskutuan rreth shumë çështjeve të axhendës, që përfshijnë vendimet për shkallën e reagimit të OBSh-së ndaj emergjencave të shëndetit dhe Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit.
Diskutimet përfshinë gjithashtu edhe sëmundjet jo-ngjitëse dhe faktorët e riskut ndaj shëndetit të njerëzve për shkak të këtyre sëmundjeve. Vendime të rëndësishme do të merren edhe për obezitetin e fëmijëve dhe atë maternal, ushqyerjen e fëmijëve dhe të rinjve, si dhe ndotjen e ajrit, kontrollin e duhanit, dhunën dhe sigurinë rrugore. (javanews.al . r.a)