Eshtë zhvilluar para pak ditësh në sallën e Këshillit të Bashkisë së Shkodrës një mbledhje e Unionit të Gazetarëvë Shqiptarë, Dega Shkodër, në kuadër të riorganizimit në shkallë vendi të kësaj organizate kombëtare mediatike.
Ishte i pranishëm edhe kryetari i UGSH, Aleksandër Cipa si dhe anëtari i kryesisë Besim Dybeli.
Kryetari i Degës së Shkodrës së Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Arben Lagreta, përsëriti para kolegëve dorëheqjen e tij pas 9 vjetësh drejtimi.
Në vijim ai mbajti një raport të hollësishëm të aktivitetit 9-vjecar të Degës së Shkodrës, si një ndër degët e para më cilësore dhe më aktive në vend të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, e themeluar qysh në korrik të vitit 2007.
Lagreta u ndal konkretisht në seminaret, sesionet e informimit dhe trainimet nga më të ndryshme që gazetarët e Shkodrës kishin përfituar jo vetëm brenda por edhe jashtë vendit gjatë gjithë këtyre viteve.
Mbledhja vijoi me fjalën e kryetarit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Aleksandër Cipa i cili falenderoi parafolësin për gjestin qytetar të dorëheqjes, për kontributin e tij të gjatë si dhe për përfaqësimin dinjitoz që i bëri UGSH jo vetëm në rajonin e Shkodrës por edhe në aktivitete ndërkombëtare.
“Shkodra është një nga qytetet që determinon skenën mediatike të vendit jo vetëm nga numri i mediave që funksionojnë, jo vetëm të historisë që ka në media, të kontributit dhe investimit, por edhe për një arsye tjetër që ne e konsiderojmë si organizatë. Shkodra ka media të cilat janë në garën e tyre të inovacionit teknologjik dhe për këtë arsye ne kemi krenarinë që në Shkodër kemi një zë unitar të kolegëve të bashkuar për të qenë pjesë edhe e aktivizmit të ri qoftë protestues, qoftë reagues që është paralajmëruar se do të kemi në muajt e ardhshëm.”, u shpreh ndërmjet të tjerash Cipa në fjalën e tij.
Më tej ky i fundit u ndal në riorganizimin në shkallë vendi dhe në vitalitetin akoma më të madh që do të fitonte në vijim të rrugës së tij të gjatë mbi 10-vjecare Unioni i Gazetarëve Shqiptarë si organizata më e madhe e gazetarëve në vend.
Në mbyllje u bë edhe procesi i votimit për kryetarin e ri të kësaj dege ku me konsensus dhe në vijim me shumicë votash rezultoi fitues gazetari sportiv Gaspër Marku.
Ndërkohë burime nga Zyra e Shtypit e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë në Tiranë bëjnë të ditur se Arben Lagreta është emëruar si Koordinator Rajonal për Veriun dhe për marrdheniet e bashkëpunimit me gazetarët në Mal të Zi.