“Oppenheimer Blue”, diamanti blu më i madh e më i bukur i nxjerrë ndonjëherë në ankand, arriti në shitje shifrën rekord të 57.6 milionë dollarëve amerikanë.
Çekani për gurin e çmuar 14.62 karatësh ra kur një blerës i paidentifikuar bëri ofertën që rrëzoi çdo shitje tjetër të këtij lloji. Guri i rrallë, i prerë në formë drejtkëndore, ka qenë më parë pronë e Sir Philip Oppenheimer dhe vlera e tij, përpara shitjes, llogaritej nga 38 deri në 45 milionë dollarë.
“Është guri i çmuar më i shtrenjtë i shitur ndonjëherë në ankand. Procedura zgjati 25 minuta e pati në disa raste edhe momente pauzash të tensionuara e ndonjë pasthirrmë”, tha Alexandra Kindermann, zëdhënëse e shtëpisë së ankandeve “Christie’s”.
Salla e mbushur plot e shtëpisë së ankandeve “Christie’s” në Gjenevë shpërtheu në duartrokitje, kur kreu i seksionit të saj të stolive e përfundoi shitjen, duke i dhënë fund betejës gati gjysmëorëshe për diamantin e mrekullueshëm blu.
Blerja u krye me telefon. Rekordin deri tani për një diamant të kaltër e mbante “Blue Moon Josephine” prej 12.03 karatësh, që u shit nëntorin e kaluar nga shtëpia rivale e ankandeve “Sotheby’s” për 48.4 milionë dollarë.
TAR/d.i.