Ish-kryeministri Sali Berisha tha në parlament se Edi Rama e ka shndërruar Shqipërinë në vendin më të rrezikshëm e qesharak.
“Skandalet janë bërë të përditshme”, tha Berisha. “Rama e ka zhytur Shqipërinë në skandale dhe e ka shndërruar në vendin më qesharak, më të rrezikshëm. Këtu kalohet nga skandali në skandal, këtu ironizohet skandali”.
Berisha më tej akuzoi Ramën edhe për çështjen e Klement Balilit.
“Javën e kaluar folëm për Escobarin e Ballkanit. Balili u shpall Escobar i Ballkanit. Çfarë ndodhi? Megjithëse policia greke dhe DEA amerikane njoftuan se ai ishte miliarderi i Ballkanit, kryebalili në parlament u tha qytetarëve shqiptarë se ne “po e përdorim këtë çështje në mënyrë të paskrupullt për të sulmuar ministrin e brendshëm dhe qeverinë”. Kështu u tha krye-Escobari shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
“Balili e ka çuar Ramën në restorant Lidia në Rodos dhe e ka takuar me trafikantët më të mëdhenj të drogës”.
“Balilin e përcolle ti nga Shqipëria, bashkë me Saje Qorrin”.
Lidhur me çështjen e përgjimeve, ish-kryeministri tha se “burri që merret me përgjimin e kolegëve është thjesht një kalec”.
D.I.