Bashkia e Tiranës ka shënuar sot një tjetër fitore sa i përket betejës për ndalimin e ndërtimit të 5 pallateve te Diga e Liqenit. Pas denoncimeve publike të Bashkisë së Tiranës se një tjetër gjyqtar i trupës së përcaktuar për shqyrtimin e kësaj çështje, Arjan Qafa është në konflikt të hapur interesi, Gjykata e Apelit Administrativ ka shtyrë sot sërish seancat për gjykimin e çështjes në themel.
Vendimi është marrë pas kërkesës së dorëzuar sot nga Bashkia e Tiranës për të përjashtuar gjyqtarin Qafa si në konflikt interesi, pas zbulimit të skandalit se Qafa ka lidhur një kontratë porosie për një apartament dhe garazh me kompaninë “Gener 2”, e cila është edhe ndërtuesja e 5 pallateve te Diga e Liqenit, por edhe për faktin se ai është kallëzuar penalisht nga ILDKP për deklarim të rremë të pasurisë.
Gjykata ka vendosur që të shtyjë për në datën 24 maj seancën për shqyrtimin e kësaj kërkese dhe në datën 25 ka vendosur të mbajë seancën tjetër, atë të shqyrtimit të çështjes në themel.
Përveç Arjan Qafës, Bashkia e Tiranës ka kërkuar më parë edhe përjashtimin edhe të gjyqtares Enkelejda Metaliaj Softa pasi edhe ajo është në konflikt të pastër interesi pasi është e afërt me një nga ortakët e kompanisë “Gener 2”. Ndërkohë që gjyqtarja tjetër, Alkelina Gazidede, ka dhënë dorëheqjen ka ky proces, e cila nuk u pranua nga kreu i Gjykatës së Apelit Administrativ.
Pavarësisht lojërave procedurale gjyqësore, Bashkia e Tiranës është shprehur e vendosur që të mos lejojë ndërtimin e këtij kompleksi pallatesh poshtë Digës së Liqenit.