Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë sot në akademinë përkujtimore me rastin e 26 vjetorit të vrasjes së Jetullah Deskut në ish-APJ.
“Sot kujtojmë të rinjtë e vrarë në armatën jugosllave, pasi ata u vranë pabesisht”, theksoi Thaçi.
Ai u shpreh se vrasjet e tjera si e Jetullahut, varrosën idenë se populli jonë mund të jetojë nën Serbinë.
“Vrasja e birit tuaj ishte e rëndë për ju dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, por ajo që tregoi madhështinë tuaj ishte qëndrimi juaj, ku dërguat mesazhin e pajtimit. Ju refuzuat që armata jugosllave të marrë pjesë në varrimin e djalit tuaj, fajtori kryesor i krimit, ju me qëndrimin tuaj treguat që ajo nuk ishte vetëvrasje, por vrasje”, theksoi Thaçi.
Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, deklaroi se lufta çlirimtare ishte e drejtë, prandaj gjeti përkrahjen e gjithë botës demokratike.
Ai shtoi se Jetullahu u bë personifikim i të riut që mbi të gjitha e ka atdheun dhe familjen, por fatkeqësisht pushteti serbo-sllav e vrau në moshë të re.
“Kjo akademi për Jetulla Deskun na kthen në rrugëtimin që bëri populli ynë për të fituar lirinë”, tha ai. (ks / r.a)