Organizatorët e Evropianit “Euro 2016” deklaruan sot se një teknologji e re do të vihet në punë gjatë kompeticionit për të shmangur fluturimet e padëshiruara me dron. Shefi i sigurisë së Europianit, Ziad Khoury, tha në një intervistë për “Associated Press”, se do të shpallen zona ndalim fluturimi në hapësirat mbi të 10-të stadiumet ku do të zhvillohen ndeshjet, si dhe qendrat stërvitore.
“Kemi pikasur së fundi një përdorim të gjerë të droneve në shoqëritë e sotme”, tha Khoury, nga zyra e tij në Paris. “Masat e sigurisë do të bëhen në bashkëpunim me shtetin, që do të ndërhyjë dhe do të sigurojë kontrollin e droneve”, shtoi ai.
Qeveria po financon kërkimet teknologjike, që mund të sigurojnë ndërhyrjen ose bllokimin e sinjaleve që kontrollojnë të tilla pajisje, ose shkatërrimin e tyre nëse do të jetë e nevojshme.
Autoritetet franceze janë alarmuar nga dhjetëra drone misterioze që kanë fluturuar mbi vende të një rëndësie të veçantë, kryesisht mbi ndërtesat e qendrave bërthamore apo ushtarake.
ma.me