Policia njoftoi sot se më datë 15.05.2016, nga Specialistët e Komisariatit të Policisë nr 1 në bashkëpunim me Sh. Ç. B . A., kanë bërë arrestimin e shtetasve:
1. Xhevdet Aga, 61 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë trup shërbimi pranë stacionit të Policisë Farkë, Komisariati i policisë nr 1, (Neni 130/a)
2. Shkelqim Aga, 37 vjeç, banues në Tiranë, (Nenet 84, 274 dhe 278/3)
3. V. Aga, 61 vjeçe, banuese në Tiranë, (Neni 301)
Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi, më datë 15.05.2016, në Farkë të Madhe, shtetasi H. Aga, duke udhëtuar me mjetin e tij, pranë xhamisë në Farkë të Madhe, është goditur nga mbrapa nga mjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin Shkelqim Aga (kushërinj të parë), ku më pas janë konfliktuar me mjete të forta, si pasojë H. Aga është dërguar në SQUT, për mjekim.
Shkelqim Aga, i biri i Xhevdet Agës, ka shkuar në banesën e tij dhe ka marrë një armë zjarri tip automatik dhe ka shkuar tek banesa e shtetasit A. Aga, babai i të dëmtuarit (vëllai i Xhevdetit).
Pas konfliktit verbal me A. Aga dhe bashkëshorten e tij shtetasen S. Aga, ka qëlluar me armë muret rrethuese të baneses së A. Aga dhe është larguar.
Më pas ka vijuar konflikti midis shtetasve Xhevdet Aga me të vëllain A. Aga dhe nusen e tij S. Aga, ku kjo e fundit është dhunuar fizikisht nga Xhevdet Aga.
Nga hetimet e kryera si dhe nga kqyerja e vendit të ngjarjes është faktuar se shtetasja V. Aga (e jëma e shtetasit Shkëlqim Aga), ka mbledhur gëzhojat e armës në vendin e ngjarjes dhe ka bërë fshehjen e tyre.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar:
– një armë zjarri tip kallashnikov me dy krehëra dhe 21 copë fishekë
Materialet proceduriale i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga Nenet 130/a, 84, 274, 278/3 dhe 301.
(javanews.al/r.a)