Partizani ka fituar “in extremis” në Korçë, duke tronditur themelesh kuqebardhët e Mirel Josës. Pas dy shtyllave me një goditje të vetme, në fillimin e pjesës së dytë, u duk se fati i kishte braktisur 15 herë kampionët e vendit. Mirëpo, ky faktor jo pak i rëndësishëm në lojën e futbollit nuk mund t’i thoshte pambarimisht “jo” Emiliano Vilës. Ky i fundit, në minutën e fundit të kohës së rregullt, përmes një roveshiate të bukur, pak a shumë si ajo e Salihit në “Qemal Stafa”, u dha të kuqve 3 pikë, që e kanë bërë më antagoniste se kurrë betejën për titull.
Dy pikë larg vendit të parë është skuadra e Agostinelit, që ka festuar si i çmendur nga ana e tifozëve kryeqytetas, por ka mbetur edhe një ndeshje pa luajtur. Juglindorët duhet të udhëtojnë drejt Vlorës, të mërkurën e ardhshme, për t’u ndeshur me Flamurtarin vendës, që ka nevojë jetike për pikë mbijetese. Partizani nuk e ka të lehtë, po ashtu, por luan në shtëpi. Në “Qemal Stafa”, të kuqtë do të kenë përballë Teutën, e cila lufton për vendin e tretë dhe shkuarjen në Kupat e Europës. Por, që të shkojmë deri në javën e fundit, duhen pritur përfundimet e ndeshjeve të sotme, në kuadrin e javës së parafundit të kampionatit.
Si do të dalë Flamurtari në Ballsh? Kjo është pyetja, që ngërthen edhe enigmën e titullit, veç mbijetesës. Nëse Bylis mundet sot, zgjidhet përfundimisht edhe skuadra e dytë që zbret një kategori më poshtë, pas Tërbunit. Nëse fitojnë mallakastriotët, atëherë Flamurtarit i duhet “jetë a vdekje” fitorja në javën e fundit. Kjo do të linte pa titull Skënderbeun, në rast të suksesit të “demave” ndaj durrsakëve. Fitorja e Partizanit me Teutën do të bëhej e pavlefshme vetëm në rast të fitores së Skënderbeut në Vlorë, shkruan Telesport. Barazimi dhe humbja e kuqebardhëve nuk vlen. Barazimi i Skënderbeut do t’i nxirrte të dyja skuadrat kryesuese me pikë të barabarta, por kampion shpallet Partizani, pasi ka ecuri më të mirë në përplasjet direkte (ka fituar dy, ka barazuar një dhe ka humbur një sfidë)./a.m.