Në Vlorë është mbajtur veprimtaria për prezantimin e Udhëzuesit për Mbrojtjen e Fëmijëve në Situatë Rruge.
Në këtë veprimtari merrnin pjesë Ambasadori i OSBE, Florian Raunig, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea, dhe Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli.
“Edhe pse puna e fëmijëve ndalohet me ligj, ne të gjithë i kemi parë: fëmijë që lypin, që lajnë xhamat e makinave, që shesin pranë semaforëve, apo që punojnë për biznesin e riciklimit. Këtyre fëmijëve iu është mohuar mundësia për të qenë fëmijë. Shumica e tyre nuk shkojnë në shkollë. Ata nuk kanë kohë të luajnë. Madje ata nuk përfitojnë as kujdesin e duhur dhe as ushqehen siç duhet”, tha Raunig.
Ai shtoi se, “në vitin 2009, Prezenca e OSBE-së mbështeti Bashkinë e Vlorës për krijimin e Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve. Kjo njësi aktualisht bashkërendon veprimtarinë për gjetjen e zgjidhjeve të duhura për sfidat me të cilat përballen fëmijët në nevojë dhe familjet e tyre. Harta e re territoriale dhe zgjerimi i kompetencave të pushtetit vendor do të thotë më shumë përgjegjësi për Njësinë për Mbrojtjen e Fëmijëve. Por, rritja e përgjegjësive kërkon edhe burime shtesë.
Sipas tij, “prezenca e OSBE-së është e përkushtuar që të promovojë mbrojtjen dhe përfshirjen e fëmijëve, me objektivin që të gjithë fëmijët të gëzojnë të drejta të barabarta. Gjatë dy viteve të fundit, falë mbështetjes së Qeverisë Italiane, kemi punuar intensivisht me Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve për të adresuar problematikën e fëmijëve në situatë rruge. Udhëzuesi për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge është hartuar me mbështetjen e Prezencës dhe tani udhëheq punën e ekipeve në terren në disa bashki”.
“Prezenca po punon nga afër me bashkitë për hartimin e planeve të veprimit që përshkruajnë përgjegjësitë specifike të autoriteteve vendore për mbrojtjen e fëmijëve. Jam optimist se plani i veprimit që kemi hartuar me stafin e Bashkisë së Vlorës do të mbështetet plotësisht nga bashkia, sidomos në aspektin e planifikimit në kohë dhe caktimit të burimeve”, tha Raunig.
Sipas tij, “është detyrë e shtetit që të mbrojë të drejtat e qytetarëve më të cenuar. Gjithashtu, mbarë shoqëria ka detyrimin moral të garantojë që asnjë fëmije të mos i mohohet mundësia për të gëzuar fëmijërinë, për të ndjekur shkollën, për të nxënë aftësitë që i duhen për të siguruar të ardhmen. Fëmijët duhet të kenë mundësinë që të rriten dhe të bëhen qytetarë që kontribuojnë në familjet dhe komunitetet e tyre. Le të ndërtojmë së bashku një të ardhme ku të gjithë fëmijët do të kenë mundësinë për ta shprehur plotësisht potencialin e tyre”. (javanews.al / r.a)