Babai i 39-vjeçarit Shpëtim Shala që u ekzekuta me 15 plumba brenda makinës së tij në Durrës, për arsye ende të panjohura, deklaron për News 24 se ndaj familjes së tij po hidhet baltë.
“Nuk kemi asnjë konflikt me askënd. Djali im ishte punëtor, kishte tre vajza për të rritur. Po hidhet baltë mbi familjen tonë dhe ky është një krim. Djali im nuk kishte asnjë precedent penal. Ka pasur një plazh privat”,- ka deklaruar Muharrem Shala.
Sakaq edhe bashkëshortja e viktimës, Kristina Shala shpreh indinjatën e saj për ato që shkruhen për bashkëshortin e saj. “Jam e indinjuar për ato që thuhen për Shpëtimin, nuk kishte asnjë konflikt. Para se të vritej më telefonoi e më tha, po vij në shtëpi. Shpëtimi nuk i kishte borxhe askujt”.
Ajo më tej apelon: “Drejtësia të gjejë autorët, na lini të qetë në dhimbje, Ju lutem mos na përzieni me çështjen e bandave. Kam për të rritur 3 vajza të vogla”.
Viktima është baba i 3 vajzave të mitura dhe u ekzekutua me automatik në zonën e plazhit, në sektorin “Iliria”, më 8 maj. Autori dyshohet se i ka zënë pritë dhe e ka mbajtur nën vëzhgim viktimën, që kish hipur në automjet pak çaste pasi ishte ndarë me shokët e tij.
Shpëtim Shala u gjet i vrarë brenda në automjetin e tij tip “Volksëagen”, me targa AA 086 HJ, i cili ndodhej pranë një lokali. Mbi 25 persona janë shoqëruar e po merren në pyetje nga policia e Durrësit për të hedhur dritë mbi krimin dhe autorët. Policia ndërton skenën e krimit. Krimi ndodhi në mes të një lagjeje të mbipopulluar me pushues e banorë, një rrugicë mes të pallateve, në brezin e parë, pas plazhit privat “Los Logos”, i cili është administruar nga viktima e miq të tij. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe e provave materiale të gjetura në vendngjarje rezulton se autori ende i paidentifikuar nga policia i ka ndërprerë rrugën Shalës, i cili në bazë të gjasave e ka njohur, kjo sepse ka ndaluar dhe ka fikur automjetin.
Autori e ka qëlluar nga një distancë e afërt, rreth një metër, dhe është siguruar që viktima ka ndërruar jetë. Por nuk dihet nëse kanë debatuar apo jo, nëse 39-vjeçari ka folur me atentatorin apo jo, pasi policia që ndërtoi skemën e krimit bëri me dije se autori ka shtënë 15 herë në drejtim të viktimës nga xhami i shoferit, që ka qenë i mbyllur në momentin që është kryer vrasja. Si pasojë e breshërisë së automatikut në krahun e majtë, viktima ka marrë 15 plumba në trup duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e krimit dhe ka bërë rrethimin e zonës e shoqërimin e shumë dëshmitarëve, por askush nuk ka dhënë detaje të rëndësishme për identifikimin e autorit të krimit.
Sipas të njëjtave burime, viktima nuk e ka pritur sulmin me armë, sepse ka qenë i paarmatosur, sapo është larguar nga plazhi ku kish luajtur futboll me shokët. Sipas hetimeve, autori ka qenë një person i vetëm dhe ndaj 39-vjeçarit është shtënë vetëm nga një armë. javanews/ a.k