Përplasja që presidenti Bujar Nishani pati me Erion Veliaj për këndin e lojërave tek Liqeni duket se e ka zanafillën që nga koha kur Veliaj ishte ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, para se të zgjidhej në krye të Bashkisë së Tiranës.
Pak kohë më parë kryebashkiaku e quajti qesharak Presidentin duke ju referuar takimit që ai pati tek Liqeni me disa aktivistë të shoqërisë civile që kundërshtojnë projektin për parkun e lojërave. Por “qesharak” është më e pakta që Veliaj mendon për kreun e shtetit.
I ftuar në emisionin “Opinion”, kryetari i Bashkisë së Tiranës lëshoi akuza të panumërta ndaj Presidentin Nishani, me të cilin tha se ka një zemëratë që nga përplasjet për çështje të ndryshme që kreu i shtetit pati me mazhorancën, raporton Express.
“Unë s’kam qenë ironik, kam qenë i zemëruar me presidentin që e ktheu presidencën në leckë për të fshirë mëkatet e një partie që i shërbeu edhe gjatë kohës që ishte president dhe s’u distancua. Është fyese të hiqesh si ambientalist në momentin që shkon në park më gjithë eskortën tënde. Presidenti nuk pret 21 janarin dhe familjarët që u vranë do të thotë se është me dy standarde. Ai pret vetëm qytetarët që i interesojnë axhendës së tij politike. Presidenti i bëri thirrje të hapur prokurorisë dhe gjykatës që të marrë anë, ky president e drejton prokurorinë dhe gjykatat. Ka një konflikt interesi kur ti bëhesh palë e një procesi që është në gjykim….”, tha Veliaj.
Ai dha edhe arsyet se nga i ‘buron’ gjithë kjo zemëratë ndaj Presidentit Nishani, të cilin e quajti “ të ligë dhe tafmaqar”.
“Të shpjegoj zhgënjimin tim personal me Bujar Bishanin. Në momentin që presidenti i Republikës sillet si Bujar Nishani, atëherë ka vajtur presidenca te Nishani jo Nishani te presidenca. Ky është një njeri që zhgënjeu qeverinë me mënyrën si trajtoi Visar Zhitin , me mënyrën si vodhi pronë e kishës katolike në Elbasan. Ky është një njëri që disa herë me të gjithë ministrat ka shkuar kundër interesit publik për interesin personal. Gjithmonë kam besuar që përtej një njeriu tafmaqar për pronën e kishës në Elbasan, përtej një njeriu të lig, të lig kundër Visar Zhitit për emërimin në ambasador, mund ta them me plot gojë. E them këtë me plot gojë se askush nuk është shkel në besë siç jam shkel unë. Isha i vetmi zyrtar edhe në Tiranë edhe në qeveri që ruaja një marrëdhënie respekti e kam nderuar në çdo situatë, kam pasur komunikim serioz prandaj jam i zhgënjyer. Unë jam i zemëruar me presidentin se zgjodhi të ishte president i një partie të vogël”, përfundoi Veliaj. (express / a.r)