Detaje të reja zbardh policia një ditë pas ekzekutimit të biznesmenit Shpëtim Shala në Durrës. Shqiptarja.com mëson se uniformat blu po përqendrohen edhe në një pistë tjetër hetimore, përvec trafikut të narkotikëve. Sipas policisë Shala ishte i njohur si person me precedent të mëparshëm penal.
Të njëjtat burime mësojnë gjithashtu se 5 ditë më parë Shpëtimi ishte konfliktuar me një person të cilit i kishte patur 10 mijë euro borxh. Konflikti ka degraduar në sharje ofendime çka e bën policinë që të ketë dyshime të forta lidhur me autorin e ekzekutimit
Blutë e Durrësit kanë kërkuar pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë, ndërkohë që i dyshuari është shoqëruar në drejtorinë e Durrësit ku po merret në pyetje.
Gjithashtu Shpëtim Shala sipas burimeve policore luante bixhoz, dhe nuk përjashtohet ekzekutimi i tij për borxhe. Kohët e fundit mësohet se ai nuk kishte ndonjë aktivitet tregtar por në mënyrë të vazhdueshme, Shala merrte objekte me qira, si bilardo, lokale, por edhe plazhe private. Policia ka shoqëruar gjatë pasdites së djeshme dhe gjatë natës 26 persona, të cilët pasi janë marrë në pyetje e janë lënë të lirë.
Shala babai i tre vajzave u ekzekutua me 6 plumba në kokë mbrëmjen e së djelës dhe u gjend pa jetë në automjetin e tij. Ngjarja ka ndodhur në një zonë të populluar të plazhit të Durrësit, ku fare pranë ndodhet edhe shtëpia e Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla. Sipas Policisë, krimi është kryer me anë të një arme “scorpions” me silenciator, ndërsa autorët mendohet të kenë qenë vrasës profesionistë.
Njoftimi i policisë
Specialistët e Sektorit kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit, pasi:
Më datë 08.05.2016, në lagjen Nr.13, Durrës, është vrarë me armë zjarri, brenda automjetit të tij, tip Volsvagen, me targa AA 086 HJ, shtetasi:
• Sh.Sh. 39 vjeç, banues në Durrës.
Nga kqyerja e vendit të ngjarjes, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
• 15 copë gëzhoja të kalibrit të vogël pistolete automatike .
Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar në polici 26 persona.
Viktima ka qenë person me preçedentë penalë në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja me paramendim”dhe”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar në nenet 78 dhe 278/2 të Kodit Penal. javanews/ a.k