Pep Guardiola dhe një nga fizioterapistët e Bayernit janë zënë keq, duke rrezikuar të kalonin në përleshje fizike. Trajneri ka qenë i nxehur nga mungesa e gjatë e Arjen Robben dhe i ka kërkuar llogari stafit mjekësor. Është një situatë e ngjashme me vitin e kaluar, pas humbjes me Porton, kur mjeku historik i klubit që nga 1977, Hans-Wilhelm Müller-Wohlfahrt, dha dorëheqjen pas akuzave të trajnerit.
“Godin u riaftësua shumë shpejt, po ju pse nuk e bëni. Pse të dëmtuarit tanë qëndrojnë kaq gjatë jashtë loje?”, i tha Guardiola stafit mjekësor pas eliminimit nga Atletico Madrid, duke iu referuar edhe mungesave të gjata të lojtarëve të tjerë, nga Boateng, te Benatia e Badstuber.
Fizioterapisti, i cili thuhet se ka pozita të forta brenda klubit, nuk duroi më dhe i bërrtiti: “E ke të gjithë skuadrën në dispozicion, përveç Robben e Badstuber, nuk mund të thuash të tilla gjëra”.
Të dy i bërrtitën njëri-tjetrit, aq sa situata rrezikoi të degjeneronte dhe në mes ndërhyri Ribery.
Në konferencën e sotme për shtyp, Guardiola u ankua përsëri për praninë e një spiuni në skuadër, i cili ia ka bërë të ditur historinë medias: “Këto gjëra duhet të mbeten brenda dhomës së zhveshjes”.
Sot gazeta Bild i kishte dedikuar trajnerit një editorial tepër të ashpër. E kritikon sidomos për raportet humane, pasi lojtarët dhe bashkëpunëtorët e mësuan vetëm përmes shtypit që ai do të shkonte te City në verë. E akuzon që e flet pak gjuhën, “gjë që nuk i shkon një perfeksionisti si ai”. I referohen edhe Trapattonit, i cili nuk e fliste mirë gjuhën, “por Pepin në thelb nuk e marrim vesh”.
Kritika është e detajuar: “Nuk ka dhënë kurrë një intervistë ekskluzive. Në tre vjet, nuk e dimë çfarë mendon, çfarë ndjen. Lojtarët i përkufizon përherë si “super, super, super, super”, por pastaj nuk i aktivizon, siç ka ndodhur me Götzen. Mbetet një gjëegjëzë pa zgjidhje”.
D.I.