JAVANEWS/ PD është e gatshme të japë konsensus vetëm për Byronë e Hetimit, por jo për pjesën tjetër të draftit të Reformësn në Drejtësi. Ky është edhe ngërçi i krijuar mes PD-së dhe ndërkombëtarëve, në lidhje me Reformën në Drejtësi, gjë që ka çuar edhe në anulimin e mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ku do të ishin të pranishëm edhe ambasadorët e SHBA dhe BE, Dondald Lu dhe Romana Vlahutin. Lajmi në fjalë bëhet i ditur për Javanews nga burime brenda grupit parlamentar të PD-së.
Ndërkombëtarët janë të interesuar që drafti për Reformën në Drejtësi të miratohet në bllok nga parlamentarët. Ndërsa PD-ja kërkon që ai të miratohet i copëzuar, faz pas faze, duke bërë, sipas tyre, edhe korrigjimet e nevojshme që kanë të bëjnë me mandatet aktuale të prokurorëve dhe gjyqtarëve, me mënyrën e zgjedhjes së tyre, si dhe të procedurave të mëtejshme të kontrollit dhe përbërjes së institucioneve të reja që do të krijohen sipas draftit për Reformën në Drejtësi.
Copëzimi i miratimit të Reformës në Drejtësi, gjerësisht shihet si një kthim pas, duke bërë që të bien ndjeshëm efektet e Reformës. Kjo duket është edhe arësyeja se përse ndërkombëtarët nuk janë në favor të miratimit fazë pas faze të kësaj Reforme, por të miratimit në bllok të saj. Aktualisht vetëm mazhoranca nëpërmjet dy drejtuesve të saj të lartë Rama dhe Meta, është deklaruar pro miratimit në bllok në draftit për Reformën në Drejtësi. Shtyrja e mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ku do të merrnin pjesë edhe dy ambasadorët përkatësisht të SHBA dhe BE, vlerësohet si një përpjekje ose për të arritur një akord të ri, ose si një tentativë e PD-së për të gjetur sebepin e rradhës për të mos votuar reformën në Kuvend.
(javanews.al) Me. Ar