Pas një reportazhi të publikuar sot nga Agence France-Presse, ku në qendër të tij ishin dy persona, një shqiptar dhe një kosovar, të cilët i ishin bashkuar ISIS në Siri dhe ishin kthyer sërish në Atdhe, ka reaguar një prej familjarëve të tyre.
Hamdi Alinji, babai i Ervis Alinjit të përmendur në shkrim si Yassin, ka thënë për mediat se për historinë e djalit të tij janë dhëne shumë versione.
Ai tha se i biri u largua nga vendlindja, fshati Leshnicë i Pogradecit, në vitit 2012 me Almir Dacin, po nga i njëjti fshat.
Sipas Hamdiut, Ervisi është mashtruar dhe i është bërë një injeksion për të harruar prindërit.
Ai shprehet se nuk beson se Daci ka humbur jetën. Vdekja e Dacit u sajua nga familjarët e tij, deklaron Hamdi Alinji.
Në shkrimin e AFP, citohet Yassin (Ervis Alinji), babai i tre fëmijëve, se pas kthimit në Siri, ai punonte si kasap në periferi të Tiranës.
I ati i Ervisit, ka thënë se e beson se i biri ndodhet në Tiranë dhe shprehet: “Le ta shoh gjallë e pastaj le të vdes”. Hamdiu i bën apel edhe institucioneve shtetërore, që ta ndihmojnë për gjetjen e të birit.
Lajmi për vdekjen e Dacit, ish-imamit të xhamisë së Leshnicës në Pogradec, i njohur si xhihadisti shqiptar që kërcënoi Ballkanin, e kanë dhënë familjarët e tij, në fillim të muajit prill.
Megjithatë, ndaj Dacit është i hapur një proces gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Ai akuzohet për veprat penale: “Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave me qëllime terroriste ose të financimit të terrorizmit” dhe “Nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e krimeve me qëllime terroriste, nxitje të urrejtjes apo konfliktit nacional, racor apo fetar”.
Edhe pse është njoftuar i vdekur, gjyqi ndaj Dacit nuk është mbyllur pasi vdekja e tij nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe ai figuron ende në regjistrin e gjendjes civile. (javanews.al / a.r)