Ngjarja ku mbeti i vdekur shtetasi Elton Çiça ka tashmë të arrestuarin e parë. Bëhet fjalë për një prej personave që ishte me të në momentin e vrasjes.
Burime policore bëjnë të ditur se në pranga ka rënë Redjan Rraja, nga Kruja. Policia thotë se ai është nën akuzë se ka penguar zbulimin e së vërtetës. Një natë më parë, zv.drejtori i Policisë Ermal Muça e konfirmoi ndalimin duke thënë se ky shtetas ka prishur vendin e ngjarjes.
“Janë bërë disa veprime nga ana e këtij personi që kanë lëvizur gjëra në vendin e ngjarjes me dashje dhe kanë marrë bashkë me prokurorin një vendim për ta ndalur. Mund të jetë edhe vrasës me pagesë dhe jemi në rrugë goxha të drejtë” – tha dje Muça.
Njoftimi i policisë:
Më datë 01.05.2016, rreth orës 22:10, në rrugën ”Gjin Bue Shpata”, në ambjentet e një lokali, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Elton Çiça, 36vjeç, banues në Tepelenë, i cili ka humbur jetën gjatë trasportimit për në spital.
Shtetasi Elton Çiça, ka qënë në shoqërinë e shtetasve: A. T., S. K. dhe shtetasi Redjan Rraja, 31 vjeç, banues në Krujë, i cili u arrestua për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, parashikuar nga Neni 301 i Kodit Penal.
Në momentet që këta shtetas kanë qënë duke qëndruar, në lokal ka hyrë një shtetas i cili është afruar drejtë shtetasit Elton Çiça, duke e qëlluar tre herë me armë zjarri.
Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj ngjarje.
(javanews.al / a.r)