Albert Berisha, djaloshi 29 vjeçar nga Prishtina që kishte shkuar për të luftuar në Siri dhe Irak, është dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burg, nga organet e drejtësisë në Kosovë, njofton Klan Kosova.
Berisha kishte shkuar në Siri për të luftuar për çlirimin e Sirisë, por ishte kthyer, siç ka thënë ai, pa shkrepur asnjë plumb, sepse atje, ashtu si pati deklaruar vet në një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës, e pa se gjërat nuk ishin si ai i kishte menduar.
Berisha, që mban master te Marrëdhënieve Ndërkombëtare, tregimin e tij e kishte përdorur për të njoftuar të indoktrinuarit e të keqinformuarit që të mos shkonin për të bërë luftë në krah të militantëve të ISIS-it.
Prishtinasi historinë e tij të plotë e ka shpalosur në një edicion të Info Magazinës, ku pati treguar deri në detaje rrugëtimin e tij dhe gjithçka që kishte përjetuar përgjatë rrugës deri në Siri dhe kthimin e mundimshëm në Kosovë.
“Krejt çka dua është që shteti ta vlerësojë sinqeritetin tim dhe ta jap një verdikt në emër të drejtësisë dhe të më lejoj që të vazhdoj rrugën time përpara”, kishte thënë, mes tw tjerash, Berisha.
“Të gjithë shqiptarëve, por edhe të tjerëve, të cilët mendojnë se janë duke bërë një vendim të mirë, duhet ta dinë se gjendja atje, në terren, ndryshon tërësisht nga se promovohet. Atje është luftë, dhe prania jonë atje më shumë mund të jetë e dëmshme, sesa e dobishme për vet popullsinë siriane”.
“Ju bëjë thirrje të gjithëve që të qëndrojnë në Kosovë, të japin kontributin e tyre për këtë vend, për vendin tonë dhe për familjet tona”. (b.an)