Autoritetet kosovare përgjigjen ashpër ndaj Eurovizionit. RTK-ja, ka deklaruar se është thellësisht e shqetësuar me fyerjen e rëndë që i është bërë Kosovës nga Grupi i Referencës për Këngën e Eurovizionit të cilët e ndalojnë flamurin e Kosovës të valëvitet në këtë festival.
Radio Televizioni i Kosovës është thellësisht e shqetësuar që flamurin e Kosovës e vendosin në listën e njëjtë ku janë edhe flamuj të organizatave terroriste (ISIS-it) dhe vendeve tjera që janë të kontestuara ndërkombëtarisht. Ky vendim vjen vetëm disa ditë para se RTK të marrë pjesë pikërisht në takimin e Grupit të Referencës ku pritej të merrej vendimi nëse Kosova do të marrë pjesë ose jo vitin e ardhshëm në këngën e Eurovizionit.
Në deklaratë është thënë gjithashtu se: RTK ka pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm me EBU, kemi marrëveshje të nënshkruar, dhe dëshiroj të besoj që ky veprim i Grupit të Referencës për Këngën e Eurovizionit nuk është marrë me dijeninë e menaxhmentit të EBU-së, prandaj si Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së kërkoj që flamuri i Republikës së Kosovës të hiqet menjëherë nga ajo listë për shkak se ky veprim ka rritur menjëherë presionet ndaj Radio Televizionit të Kosovës për të shkëputur marrëdhëniet me EBU.