Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar sot se qeveria nuk ka miratuar asnjë vendim për të kërkuar borxh për sigurimin e parave përmes fondit rezervë të sigurimeve shëndetësore, apo aq më tepër, të ketë marrë një vendim të tillë si pasojë e krizës financiare.
“Baza ligjore* dhe statuti i FSDKSH-së përcaktojnë qartë mënyrën e përdorimit të fondit rezervë, i cili është një fond emergjence që përdoret për mbulimin e lëvizjeve të përkohshme dhe deficiteve operative në sigurimin e detyrueshëm shëndetësor. Ky fond përbëhet nga tepricat e akumulueshme të të ardhurave ndaj shpenzimeve dhe nuk duhet të kalojë 10% të shpenzimeve vjetore të FSDKSH-së” – thuhet në njoftimin e MSH.
Sipas saj, gjatë dy viteve të fundit, investimi i fondit rezervë është aplikuar deri në masën 50% në instrumentet e politikës monetare, duke sjellë rritje të të ardhurave dytësore të FSDKSH-së në shumën 43.7 milionë lekë për vitin e parë (2015) dhe 44.4 milionë lekë, që pritet të përfitohen në vitin 2016. Por, gjysma tjetër e fondit rezervë ka mbetur e pashfrytëzuar, ndërkohë që mund të sigurohej nga investimi i saj dyfishi i të ardhurave dytësore të siguruara nga këto investime. Tashmë, situata e mirë financiare ka sjellë plotësimin e fondit rezervë për të mbuluar 10% të shpenzimeve të skemës dhe krijimin e mundësive më të mëdha për investime financiare.
MSh thotë se nisur nga kjo situatë monetare, ndryshimi i fundit i miratuar në statut lidhet me mundësimin e investimit deri në 100% të fondit rezervë i cili do t’i sjellë më shumë të ardhura dytësore FSDKSH-së përmes investimit.
Gjatë ditës së sotme portale dhe media online është publikuar një lajm, sipas të cilit, qeveria ka marrë një vendim për të përdorur fondin rezervë të sigurimeve shëndetësore për të rregulluar buxhetin e vet duke treguar kështu gjendjen e vështirë financiare.