Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në Komisionin e Reformës në Drejtësi deri në përfundimin e bojkotit 10-ditor që u vendos pas pezullimit të Sali Berishës nga punimet e Kuvendit. Deputetët e opozitës nuk u bënë pjesë e punimeve të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi. Në emër të PD Eduard Halimi bëri me dije vendimin për të mos marrë pjesë në komision, por tha se ekspertët e PD do punojnë për teknikalitetet e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore.
“Qytetarët duan një sistem drejtësie larg Edi Ramës. Projekti i Edi Ramës u rrëzua nga Komisioni Venecias. Vonoi me dy vite Byronë e Hetimit se e donte në varësi të Emiliano Shullazit. Kjo nuk mund të jetë drejtësia që duan qytetarët. Ai që e ka penguar reformën ka qenë Edi Rama që ka pasur një projekt të vetin dhe nuk ka dashur projekt sipas Venecias dhe qytetarëve. Jemi dëshmitarë se si e ka vonuar nga shtatori, kur donte që Byronë ta kishte në varësi të policisë, kur ne i thamë hajde ta votojmë siç ka thënë Komisioni Venecias. Reforma në drjetësi do të bëhet. Jo ai që ka në kokë Edi Rama dhe e mban peng, por do të realizohet siç e kërkon Komisioni i Venecias”, tha Halimi.
Deputeti i djathtë akuzoi kryeministrin Rama për ndërhyrje në proces, me qëllim sipas tij uzurpimin e sistemit të drejtësisë.
“Nga njëra anë Edi Rama urdhëron dënimin e denoncuesit të Emiljano Shullazit me përjashtimin me 10 ditë nga parlamenti të doktor Berishës, nga ana tjetër mbron Shullazin siç ka bërë në këto 3 vite. Në vend të mbështesë, sulmon prokurorinë. Kjo është drejtësia që do Edi Rama. Në vend që të dilte në mbrojtje të prokurorisë dhe dëshmitarëve në një proces si ky, në vend që të dilte në mbrojtje të biznesmenëve, doli në mbrojtje të Emiliano Shullazit. Kjo nuk mund të jetë drejtësia që duan qytetarët shqiptarë. Për Edi Ramën Shullazi do të ishte sot jashtë duke i vënë pistoletën në kokë biznesmenëve. Kush flet për reformën në drjetësi, ai që mbolli gjithë Shqipërtinë me kanabis. Flet ai që me dorën dhe firmën e vet futi në Parlament deputetë me rekorde të tmerrshme krminale. Njerëz të dënuar për trafik droge, trafik prostitucioni. Ai që kaloi në doganë makinat e Shullazit. Ai që i hoqi prizën kamerave të komisariatit kur deputeti i tij qëlloi me armë qytetarët”, tha më tej Halimi.