Inva Mula do të këndojë në koncertin që do të mbahet në Vatikan himnin kushtuar Nënë Terezës, me rastin e Shentërimit të Nënës të Njerëzimit. Hymni kushtuar Nënë Terezës “Vals Hyjnor” , kompozuar nga Genc Tukiçi, do të interpretohet më 3 shtator në Vatikan në koncertin kushtuar kanonizimit të Nënë Terezës, që do të realizohet më 4 shtator të këtij viti.
“Hymni do të interpretohet nga diva Inva Mula së bashku me orkestrën dhe korin e Filarmonisë së Kosovës, drejtuar nga mjeshtri Bujar Llapaj. Eshte kurorëzim i idesë dhe punës së palodhur të gazetares Dijana Toska e cila mundësoi që Valsi Hyjnor të interpretohet në Vatikan”, shkruan Genc Tukiçi, në faqen e tij në Facebook.
Nënë Tereza do të shpallet e shenjtë ditën e dielë, më 4 shtator 2016. Kjo pasi Papa Françesku firmosi dekretin e shenjtërimit të saj, event ky që do të mbahet në bazilikën e Shën-Pjetrit në Vatikan. Ndryshe nga sa kishte kërkuar Kisha Katolike Indiane, ceremonia e Shenjtërimit të Nënë Terezës do të jetë eventi kryesor i Vitit Jubilar të Mëshirës në Vatikan. Dhe data 4 shtator do të shënohet në Kalenderin Apostolik, pikërisht si Dita e Shenjtores shqiptare Nënë Tereza e Kalkutës.
Kujtojmë se në 17 dhjetorin e kaluar, Papa Françesku firmosi dekretin për njohjen e mrekullisë së kryer nga Nënë Tereza në shërimin e plotë nga një tumor në tru, në gjendje mjaft të avancuar të një besimtari nga dioqeza e Santos, në San Paolo të Brazilit.
Mmë 19 tetor të vitit 2003, do të ishte Papa Gjon Pali II që do ta shpallte Nënë Terezën si “E lume” dhe sipas rregullave të së drejtës kanonike, festa e saj kremtohet çdo vit më datën 5 shtator, pikërisht në ditën e saj të lindjes.