Partia Demokratike e Kosovës (PDK) edhe zyrtarisht ka hapur garën për kryetar, para konventës partiake që do të mbahet më 7 maj 2016. Kjo gjë është bërë zyrtare në mbledhjen e Këshillit Drejtues, në të cilën edhe janë bërë një mori propozimesh.
Sipas burimeve të gazetës “Zëri” brenda Këshillit Drejtues, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka propozuar që në kryesinë e ardhshme të PDK-së, një përfaqësues të jetë nga Drenica, e po ashtu nga ky rajon të jetë edhe një ministër në Qeverinë e Kosovës, pas kalimit të Hashim Thaçit në Presidencë.
“Propozoj që në kryesinë e ardhshme duhet të kemi një nënkryetar nga Drenica dhe së paku një ministër. Duhet të sillemi si pronar të së vërtetës. Nëse duhet të kemi një demokraci, ta bëjmë në PDK, nëse duhet ta refuzojmë, ta bëjmë ne si PDK”, ka thënë Kuçi, sipas këtij burimi.