Në dallim prej gjysmë shkalle celsiusi, ku mezi mund të vërehet ndryshimi në baza ditore, dallimi në mes të 1.5° C dhe 2° C në ngrohjen globale është një lëvizje drejt një regjimi të ri dhe më të rrezikshëm klimatik, sipas analizave të para gjithëpërfshirëse për këtë çështje.
The Guardian shkruan se shkencëtarët kanë gjetur se shtesa në ngrohje prej 0.5° C do të mund të çonte drejt periudhave më të gjata të vapës, thatësirave më të mëdha dhe, në vende tropikale në rënie të prodhimit të korrave dhe drejt vënies në rrezik të madh të të gjithë shkëmbinjve nënujorë koralë, përgatiti Gazeta Express.
Një marrëveshje e arritur në Paris në dhjetor të vitit të kaluar mbi ndryshimet e ngrohjes globale, është zotuar se do ta mbante ngritjen mesatare të temperaturave globale nën 2° C mbi nivelet para-industriale dhe që t’i rriste përpjekjet e vendeve për ta kufizuar ngritjen e temperaturave në vetëm 1.5°C. Vendet e pambrojtura, siç janë ishujt që shtrihen në vende të ulëta, kanë paralajmëruar se 2° C të ndryshimeve klimatike do t’i fshinin kombet e tyre nga harta.
Të kuptuarit e ndikimeve të ndryshme nga ngrohja prej 1.5° C apo 2° C është bërë më urgjent nga rrjedha e fundit e matjes së temperaturave, nga rekordet e thyera në vitet 2014 dhe 2015 dhe nga matjet e muajve të fundit që i kanë thyer rekordet e mëparshme.
Në shkurt të këtij viti, temperatura globale ishte 1.34° C mbi mesatare, për herë të parë që nga vitet 1951-1980, sipas të dhënave të NASA-s.
Studimi i ri është publikuar në revistën “Earth System Dynamics”, ndërsa autori udhëheqës i tij, Carl Schleussner, i cili është këshilltar shkencor në Analizat Klimatike në Gjermani, tha: “Ne kemi analizuar modelet klimatike të përdorura nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshime Klimatike dhe i kemi konsideruar 11 tregues të ndryshëm, përfshirë ngjarje të motit ekstrem, mundësia e sigurimit të ujit, prodhimi i të korrave, shkëmbinjtë nënujorë koralë, degradimi dhe rritjet e nivelit të detit. Kemi gjetur dallime të mëdha në mes të 1.5° C dhe 2° C për të gjitha ndikimet që i kemi konsideruar.”