Pijet e gazuara, të cilat përmbajnë sasi të mëdha të kafeinës, ndalojnë zhvillimin normal të trurit tek fëmijët, paralajmërojnë shkencëtarët.
Përveç që na pengon të flemë, kafeina ndërhyn edhe duke penguar zhvillimin e trurit gjatë adoleshencës. Kjo është një periudhë kritike për trurin, kur problemet në zhvillimin e tij mund të çojnë në skizofreni, ankth, përdorimin e drogës dhe çrregullime të personalitetit, transmeton koha.net.
Hulumtuesit kanë kryer eksperimente në minjtë, por pohojnë se zbulimi rrit shqetësimin për fëmijët dhe adoleshentët të cilët konsumojnë sasi të mëdha të kafeinës në Coca-Cola dhe pije energjetike.
Në mes të 300 dhe 400 mg kafeinë apo katër kanaçe të pijeve energjike në ditë, apo katër filxhanë kafe, mund të ndikojnë në tru, sipas një studimi.
Hulumtuesit suedezë janë përqendruar në zhvillimin e trurit në adoleshencë. Derisa truri përgatitet për kërkesa në moshën madhore, sinapsat, apo lidhjet midis qelizave të cilat nuk janë të nevojshme, eliminohen. Besohet se gjumi është thelbësor në këtë proces.
“Kjo ndodh gjatë gjumit të thellë. Sinapsat kryesore mbijetojnë, të tjerat reduktohen dhe e gjithë kjo e bën rrjetin më të efektshëm dhe më të fortë”, tha profesori Reto Huber nga Spitali Universitar i Fëmijëve në Cyrih.
Profesori Huber tha se kur minjëve të vegjël u ishte dhënë ujë që përmbante kafeinë, ata kishin më pak gjumë të thellë se ata që pinin ujë të thjeshtë. Truri i tyre kishte më shumë sinapsa deri në fund të studimit, që do të thotë se zhvillimi ishte penguar.
Ndërsa, siç kemi shkruar edhe para pak ditësh, studimet e tjera pohojnë se pijet e gazuara madje mund t’i bëjnë fëmijët edhe agresivë.