Deputeti Koço Kokedhima është shprehur se nuk do të kandidojë për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, por për një detyrë tjetër të cilën do ta shpalosë në Asamblenë e së shtunës.
“Jam në dijeni të shumë spekulimeve që janë bërë në këtë fushë. Është e vërtetë që ka pasur një debat mes meje dhe Ruçit. Nuk ka qenë debat personal, as për postin e tij, nuk kam qenë asnjëherë interesuar për të kandiduar për këtë post, nuk jam e nuk do të jem i interesuar për këtë”, deklaroi Kokëdhima në një prononcim për “Neës24”-n.
“Unë kam respekt dhe punoj në mënyrë bashkëpunuese edhe me Ruçin, – vijoi ai. – Por them se është pjesë e punës sonë që të shprehim pikëpamjet tona. Nuk ka gjëra që na ndajnë, kur ka debate shprehim pikëpamjet tona, por nuk kemi asnjë problem. PS-ja është një organizëm i gjallë, aty diskutohen idetë që kanë gjithë kolegët. Mendimet shkojnë përpara, konvergojmë në dakordësi dhe çojmë punët përpara. Nuk do të jem as këtë të shtunë e as më vonë ndonjëherë sfidant për postin e sekretarit të përgjithshëm të PS-së. Do të kandidoj për një detyrë tjetër, që do ta shpalos në Asamble.