Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kërkon rritjen e investimeve austriake në Shqipëri. Këtë kërkesë kryeparlamentari e ka bërë gjatë një takimi me ambasadorin e ri të Austrisë në Shqipëri, Johann Sattler. Meta pasi vlerësoi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Austrisë, theksoi se Kuvendi, duke marrë në konsideratë ekspertizën dhe eksperiencën e kompanive austriake, mbështet rritjen e investimeve austriake në vend.
Ambasadori i Austrisë, z. Johann Sattler shprehu kënaqësinë për fillimin e detyrës së re në Tiranë dhe u shpreh se mbeten ende shumë potenciale ekonomike, tregtare e kulturore që duhen shfrytëzuar, aktivitete për të cilat Ambasada do të punojë fort në bashkëpunim me aktorët qeveritare dhe jo-qeveritarë të Shqipërisë.
Kryetari i Kuvendit Meta shprehu mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe vlerësoi mbështetjen austriake në avancimin e të gjitha reformave kyçe që i shërbejnë zhvillimit institucional dhe ekonomik të vendit.