Nga Ben Andoni/
IDK nuk duhet të ketë hezituar shumë për këtë libër, kurse drejtori i saj, z. Piro Misha duhet ta ketë pasur si detyrë për ta sjellë Giorgio Bassani-n në shqip. Megjithatë, “Kopshti i Finci-Kontinëve” ka ardhur shumë vonë. Përkthimi i është besuar Beti Njumës, që shton dhe një libër në koleksionin e saj të përkthimeve prej kësaj gjuhe.
Libri i kushtohet si tematikë jetës hebreje në Itali. Narracioni është linear dhe drejtohet në vetën e parë. Personazhi kryesor i takon brezit më të ri të shoqërisë së mesme italiane me origjinë hebreje, kurse e dashura e vet, në fakt ajo që ai e adhuron është pjesë e fisnikërisë hebreje. Do kalojë shumë kohë në libër me rrokullisje dhe përshkrime të gjata, që ai të kalojë atë murin e stërlartë, që në mënyrë simbolike tregon dhe diferencën e klasave. Djali, gjithsesi, asnjëherë nuk do ta gëzojë dashurinë.
Sfida e autorit, si shumëkujt në shekullin e XX ka qenë letërsia e kujtimit, që do të thotë përcjellja e ngjarjeve të së shkuarës, luftës, pogronit përmes artit. Të shumët kanë dështuar dhe Bassani në disa momente duket se është në këtë udhë, por shpejt e mban timonin e rrëfimit dhe e ruan cilësisht prozën e vet. Vendosja në rrafsh italian e bën subjektin që për fare pak të dështojë dhe të lodhë, pasi bëhet pangjirik, por duket se mu këtu autori, që njeh mirë letërsinë klasike, rrëshqet në tiparet më të mira të letërsisë së përbotshme. “Sfumon” rrëfimin dhe e mban pezull subjektin për ta ruajtur të bukur simbolikën e vet. Muret e pakalueshme dhe kopshti i Finci-Kontinëve është një Prag, ku nuk kalon askush dhe mu kjo ngjall revoltë në simbolikën e Bassani-t. Gjithsesi, e keqja e mbyt komunitetin hebre dhe të gjithë anëtarët e kësaj familje shuhen pa varr, përveç të paktëve që prehen kah asaj shëmtie, mbetur prej ndërtimit komisionuar prej stërgjyshit Finci, e që do t’i tregojë të gjithëve se kush ishin.
Dhe, ashtu si e përmendëm në këtë fikshën historik, botuar së pari më 1962, sfida ka qenë që të rrëfejë një pjesë tjetër të shoqërisë në të shkuarën, atë që vuajti si pakkush prej Luftës së Dytë Botërore. Nga ana tjetër, ti njeh një komunitet të përcaktuar hebrenjsh në Ferrara, pa shkuar në teprime falë shpjegimit disa herë të detajuar, por askurrë të stisur të Bassani-t. Një element shumë tregues për ata që duan të shkruajnë për të shkuarën shqiptare dhe vitet nën komunizëm. Linja më e freskët në libër dhe të themi thelbësore është dashuria e pamundur e dy të rinjve, një element që shkon dhe të bën një thirrje në kujtesë se njerëzimi është sëmurur me vetë veten e tij prej të keqes, që përsëritet shpesh në kohë të ndryshme. Kështu, ndodh me personazhet tona: Ky komunitet i vogël interesant luajnë tenis, mundohen të shikojnë jetën por jashtë është trazuar jeta dhe djali e shikon këtë pasi udhëton në Francë. Një gjë e re po lind, por që do të shkallmojë nga vendi jetën idilike të këtyre njerëzve.
Edhe pse, si e thamë më sipër, me këtë temë janë marrë shumë: Ka pak raste kur e shkuara të godet, anipse ky libër sërish edhe me malin e gjërave që janë bërë për holokaustin të sjell afër tragjizmit të tyre, sepse nuk flet fare direkt për të. Ata largohen si gjethet ashtu si edhe personazhi ynë, që i përsëritet shpesh në mëndje ai vend i mrekullueshëm dhe varri i veçuar i familjes Finci, që është i shëmtuar dy herë: se është i vetëm dhe se nuk mbajti ata që duhet brenda. Por vendi është edhe idilik se ndërsa organizatat e rinisë fashiste i heqin jashtë të rinjtë kopshti i mbledh në fushë e tenisit për të gëzuar jetën e tyre. Autori duke qenë vetë hebre nuk e ka pasur aq të vështirë frymën e përshkrimit, që duhet thënë se duket të jetë shumë i brendshëm.
“Jemi, jemi-thirri- në kuptimin që edhe mua, ashtu si asaj, më mungonte ajo shija instiktive gjërave që karakterizon njerëzit normalë. E kuptonte fare mirë: për mua, sikundër edhe për të, më shumë sesa zotërimi i gjërave kishte rëndësi kujtesa e tyre, kujtesa përpara të cilës çdo zotërim në vetvete, mund të duket veçse zhgënjyes, i rëndomtë, i pamjaftueshëm…Sa mirë më kuptonte! Padurimin tim që e tashmja të shndërrohej sakaq në të shkuar, që të kisha mundësi ta doja dhe kundroja lirshëm, e kishte dhe ajo, pikë për pikë. Ky është vesi ynë : të ecnim përpara gjithmonë me kokën të kthyer pas. A nuk ishe kështu”…Koka gjithnjë të mbetet pas.
Libër i mrekullueshëm, që duhet vlerësuar IDK-ja, por i shtypur asfare mirë. Përkthimi ka ndjekur autorin edhe pse libri duhet të ketë italishte shumë të kultivuar…
Titulli: Kopshti i Finci-Kontinëve
Autor: Giorgio Bassani
Gjinia: Roman
Botues: IDK
Përktheu: Beti Njuma
Faqe: 303
Çmimi:900Lek