Në deklaratën e PD thuhet se ndalim i tij ishte një ushtrim terrori ndaj opozitës.
“Ndriçim Babasi u grabit me forca speciale e të armatosura mesditën e 28 marsit në një bar të Tiranës, bashkë me një grup të rinjsh aktivistë të Partisë Demokratike, studentë, mjekë e dentistë, të cilët u tërhoqën zvarrë me dhunë, me një akt të paligjshëm, të urdhëruar politikisht. Babasi dhe 12 anëtarët e tjerë të PD u mbajtën 3 ditë në qelitë e drejtorisë së policise së Tiranës, duke thelluar paligjshmërinë e arbitraritetin e policisë, nën urdhra politikë. Ndalimi i 28 marsit, ishte një ushtrim terrori ndaj opozitës, dhe një kërcënim që qeveria i bënte qytetarëve përmes skuadroneve me maska që të mos ngrenë krye ndaj projektit të saj të paligjshëm, korruptiv e klientelist tek Parku i Liqenit”, thuhet në deklaratën e PD.
Pavarësisht shoqërimeve në Polici, PD thekson se nuk do të tërhiqet asnjë milimetër nga qëndrimi në mbrojtje të ligjit, në mbrojtje të pasurisë së përbashkët që është Parku i Liqenit.
“Partia Demokratike bën përgjegjës Saimir Tahirin dhe Drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj për urdhërimin dhe organizimin e këtij terrori të paligjshëm, dhe i siguron ata se do të japin llogari para ligjit”, përfundon deklarata e PD.