Vizita e Ramës në Uashington përfundoi sipas një axhende e cila duket se i plotësoi objektivat që kryeministri shqiptar i kishte ëvnë vetes. Misioni i tij diplomatik në Shtëpinë e Bardhë ka qenë një ndërmarrje që planifikohej prej kohësh pas kuintave të diplomacisë së dy vendeve dhe flitet se është shtyrë për shkak se Edi Rama ka insistuar që gjatë vizitës së tij të ketë një takim të drejtpërdrejtë me presidentin Obama.
Duke pritur që kjo pikë e vizitës të merrte një përgjigje pozitive nga pala amerikane, Rama ka insistuar që t’i shpëtojë në fakt zinxhirit të gjatë të precedentëve nga rajoni, ku zyrtarët më të lartë të Ballkanit Perëndimor që kanë vizituar Uashingtonin në vitet e fundit, janë pritur rregullisht nga zv.presidenti Bajden, por jo nga shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Ky ka qenë rasti i kryeministrave të Serbisë e Maqedonisë, përkatësisht Vuçiç e Gruevski, por edhe i kryeministrit të Malit ët Zi Gjukanoviç apo i presidentes kosovare Atifete Jahjaga . Pretendimi i Edi Ramës për ngritjen e nivelit të vizitës, duket se lidhet me disa arsye që Tirana zyrtare i konsideron si pika avantazhi mbi vendet e tjera rreth saj. Së pari, Shqipëria është i vetmi shtet i rajonit që ka nënshkruar një marrëveshje të bashkëpunimit strategjik me SHBA, një dokument që konsiderohet paralelisht edhe si një status i privilegjuar që amerikanët u japin aleatëve të tyre. Së dyti, vendi ynë është tashmë anëtar i NATO-s, çka nuk është rasti i shteteve fqinje.
Së treti, Shqipëria ka marrë kurdoherë pjesë pa shkaktuar probleme të cilësdo natyrë, në të gjitha misionet ushtarake paqeruajtëse të dekadave të fundit, si dhe në koalicionin anti Isis apo në embargon kundër Rusisë, me rastin e krizës ukrainase. Së katërti, por jo më e parëndësishmja, ky vend “i çuditshëm” musliman, ku flamuri amerikan valëvitet krahas atij shqiptar, është një rrethanë që nuk kalon pa u vënë re edhe në një perandori planetare siç janë sot SHBA.
Përtej takimit me Obamën, vizita e Ramës në Uashington shënon një sukses për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, për momentin delikat që kalon vendi ynë. Natyrshëm ajo dha mesazhin e fortë të kompromisit politik për reformën në drejtësi, si sfida më e parë në axhendën politike të Shqipërisë. Presioni pozitiv që ajo pritet të prodhojë mbi procesin në fjalë, është edhe suksesi më i prekshëm i një vizite që qysh tani mund të konsiderohet si historike për marrëdhëniet dypalëshe.